×
  • Lajme
  • Lajme

    Plani i Kurtit për konfiskim të pasurisë pa aktgjykim konsiderohet i papranueshëm

    Reporteri
    19 Prill 2021 | 10:25

    Bashkimi Evropian i ka kërkuar konsultime Qeverisë së Kosovës në hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, duke qenë se një vit më parë nuk ishin përfillur disa vërejtje të dërguara nga BE-ja. Sistemi që po planifikon ta aplikojë Qeveria e Kurtit për konfiskimin e pasurisë që do të vlerësohet se është fituar në mënyrë të paligjshme, konsiderohet i prapranueshëm nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.


    Hulumtuesi i lartë ligjor në këtë institut, Gzim Shala i ka thënë Gazetës Express se Kosova as nuk është e gatshme për ta aplikuar një sistem të tillë konfiskimi.

    Një koncept-dokument i miratuar të martën nga Qeveria lidhur me këtë çështje parasheh realizimin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues. Për këtë sistem konfiskimi, nga IKD thonë se ka pasur shumë analiza të cilat nuk i japin dritë të gjelbër kësaj mënyre të luftimit të pasurisë së pajustifikueshme.

    “Sa i përket sistemit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, apo konfiskimit në procedurë civile pa kaluar fare në procedurë penale, edhe paraprakisht janë bërë studime dhe analiza të shumta. Këto analiza kanë theksuar faktin se Republika e Kosovës nuk është e gatshme për të aplikuar një sistem të tillë”, ka thënë Shala për Express.

    Ai thekson se “Republika e Kosovës ka dy sisteme të konfiskimit: Konfiskimi tradicional dhe i avancuar”.

    “Konfiskimi tradicional zbatohet gjatë procedurës penale, dhe pasuria që vërtetohet se rrjedhë nga një vepër penale, konfiskohet. Sistemi i avancuar ka të bëjë me konfiskimin pasi i pandehuri të shpallet fajtorë. Me këtë rast, pasi një person shpallet fajtorë, Prokurori i Shtetit ka afat prej 5 viteve që ndaj të njëjtit të inicioj procedurë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në këtë rast, barra e provës bie mbi tanimë të dënuarin”, tha Shala.

    Por, shton ai, “instalimi i një sistemi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa një proces penal, në rastin e Republikës së Kosovës është i papranueshëm për dy aspekte”.

    Sipas tij, edhe ky sistem rrezikon të dështojë sikur edhe dy sistemet që tashmë janë në Kosovë.

    “Aspekti i parë është se përderisa Kosova ka dështuar në konfiskimin e pasurisë përmes dy (2) sistemeve, edhe sistemi i tretë (3) rrezikon ta ketë fatin e njëjtë”, tha Shala.

    Hetuesi i lartë ligjor i IKD-së si arsye tjetër për këtë konstatim përmend sistemin e kapur dhe persekutues të drejtësisë, i cili po kështu është cilësuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë.

    “Arsyeja e dytë është se sistemi kosovar i drejtësisë konsiderohet si i kapur dhe lehtë i ndikueshëm nga politika. Si sistem i kapur dhe persekutues, sistemi kosovar i drejtësisë është cilësuar edhe nga vet partia në pushtet. I njëjti sistem do të zbatojë edhe sistemin e konfiskimit të pajustifikuar. Për këtë arsye, përderisa Kosova nuk e kalon një sistem të vetingut, sistemi kosovar i drejtësisë nuk mund ti ipen edhe më shumë kompetenca”, tha Shala.

    Ai thekson se rrethanat në të cilat funksionon sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk janë të krahasueshme me shtetet të cilat tashmë e aplikojnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

    “Sistemi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme funksionon edhe në vende të tjera, por se rrethanat në të cilat funksionon sistemi i drejtësisë në këto vende, nuk korrespondon me rrethanat në të cilat gjendet sistemi kosovar i drejtësisë”, u shpreh Shala.

    Si për ta arsyetuar koncept-dokumetin, kryeministri Albin Kurti, një ditë pas miratimit të tij tha se për konfiskimin do të formohet një agjenci e re prokuroriale, duke marrë një shembull në Britaninë e Madhe.

    “Kjo agjenci do të jetë e pavarur dhe do të ketë për funksion hetimin e pasurisë së pajustifikueshme në fushën civile. Por, edhe agjencia e re që synojmë të themelojmë nuk është diçka e re dhe e padëgjuar. Në Britani të Madhe kemi Agjencinë për Krime të Rënda e cila është komplementare me organet e ndjekjes”, tha Kurti.

    Por, sipas IKD-së, Agjencia për Krime të Rënda në Britaninë e Madhe, të cilës i referohet Kurti tashmë nuk ekziston sepse është shuar në vitin 2013. Po kështu, agjencia pasardhëse e saj, thotë KDI, nuk korrespodon me atë se si do të duhej të dukej agjencia që konfiskon pasuri të pajustifikueshme në Kosovë.

    “Sa i përket Agjencisë për Krime të Rënda në Britani të Madhe, kjo Agjenci është shuar në vitin 2013, dhe tanimë nuk ekziston. Pasardhëse e saj është Agjencia Kombëtare e Krimit. Por se, natyra e kësaj agjencie, nuk korrespondon me natyrën që do dhe duhet ta ketë Agjencia e Kosovës lidhur me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në rastin e Kosovës, kjo agjenci do të ketë mandat vetëm për të listuar pasurinë dhe për të iniciuar rastet në Gjykatë, por se vendimin do ta marrë gjykata. Nisur nga dispozitat kushtetuese dhe ligjore, për vet listimin e kësaj pasurie, Agjencia në fjalë do të ketë shumë vështirësi”, tha Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Lidhur me iniciativën e përshpejtuar të Qeverisë për krijimin e një ligji përmes së cilit do të realizoheshin konfiskime të pasurive që do të konsiderohen se janë fituar në mënyrë të paligjshme, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka thënë Gazetës Express se autoritetet e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në konfiskimin e pasurisë së konsideruar të paligjshme nëpërmjet procedurës penale dhe duhet të kenë shumë kujdes në konfiskimin e pasurisë pa aktgjykim dënues.

    Ky qëndrim i Bashkimit Evropian vjen një vit pasi që BE-ja kishte gjetur shumë vërejtje në hartimin e koncept-dokumentit, e të cilat s’ishin përfillur nga Qeveria e Albin Kurtit.

    Stano, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë parimet e përfshira në Kushtetutë dhe të drejtat themelore të individëve.

    Kur Albin Kurti erdhi për herë të parë në pushtet, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u angazhua menjëherë në përpilimin e draftit të koncept-dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, të cilën kjo e fundit më 5 prill të vitit 2020 e pati ndarë për konsultime publik.

    Bashkimi Evropian e kishte kundërshtuar mënyrën se si kryeministri i ri i Kosovës po përpiqej t’ua konfiskonte pasurinë të gjithë atyre që do të konsideroheshin se e kishin fituar atë në mënyrë të paligjshme. Përmes një mendimi të konsoliduar ligjor që dy organe juridike të BE-së ia kishin dërguar më 12 maj të vitit të kaluar Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Drejtësisë, kishin rreshtuar një sërë vërejtjesh që ishin gjetur në planin që ishte bërë.

    BE-ja shprehej se nuk nevojitej revolucion në hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Në letrën me komentet e BE-së, të cilën e ka siguruar T7, renditen jo pak vërejtje lidhur me procedurën se si planifikohet të realizohet konfiskimi i pasurisë që konsiderohet se është fituar në mënyrë të paligjshme. Aty përmenden organet përgjegjëse që do të merren merren me konfiskimin e pasurisë, juridiksioni personal, barra e provës, etj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!