×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia del me njoftim pas sulmit ndaj kameramanit të “Insajderit” dhe një nxënësi

    Reporteri
    17 Nëntor 2022 | 16:22

    Policia e Kosovës ka njoftuar se mëngjesin e së enjtes, nëntë nxënës shqiptar kanë shkuar për vizitë të lokacioni Kodra e Minatorëve në veri, dhe me t’u kthyer disa persona kanë rrahu njërin nga nxënësit, shkruan Gazeta Online Reproteri.net.

    Në komunikatën e lëshuar për media, Policia njofton se në vend ngjarje ndodhej edhe një kameraman i “Insajderit”, i cili po xhironte autoambulancën pas sulmit ndaj nxënësit, dhe i njëjti është sulmuar fizikisht, që dyshohet se janë po personat e njëjtë.

    “Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu”, thuhet në komunikatë.

    Njoftimi i plotë:

    KOMUNIKATË PËR MEDIA

    Prishtinë, 17 nëntor 2022

    Referuar informacioneve të siguruara nga terreni, sot në orët e paradites, një grup të rinjsh nga komuniteti shqiptar, (nëntë) 9 nxënës të shkollës së mesme, kanë shkuar për të shëtitur te lokacioni Kodra e Minatorëve që gjendet në zonën e përgjegjësisë së Mitrovicës Veri.

    Këta të rinj pas përfundimit, me t’u kthyer në drejtim të urës kryesore, në afërsi të një udhëkryqi, dyshohet se nga një automjet i tipit Renault (ngjyrë e kaltër), i cili dyshohej se i ka përcjellë/vëzhguar, kanë dalë disa persona të dyshuar, të cilët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta rrahin/sulmojnë njërin nga nxënësit, përderisa të tjerët kanë arritur të largohen nga ai lokacion, në drejtim të urës kryesore.

    Më pas në atë lokacion ku ka ndodhur rasti i sulmit ndaj nxënësit, përderisa ka shkuar dhe ka qenë në kryerje të detyrës një punonjës (kameraman) mashkull/kosovar i portalit “Insajderi” nga Kosova, i cili ishte duke e xhiruar autoambulancën që po e trajtonte rastin e fëmijës së sulmuar, dyshohet se i njëjti është penguar në kryerje të detyrës si dhe është goditur/sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar të cilët dyshohet se mund të kenë qenë personat e njëjtë.

    Punonjësit (kameramanit) personat e dyshuar të cilët, sipas viktimës, kishin folur në gjuhën serbe, përveç sulmit/goditjeve të ushtruara ndaj tij, kishin tentuar t’ia marrin me forcë telefonin (celularin), pasi ka incizuar dhe ka pasur dëshmi të rastit. Më pas viktima (kameramani) ka marrë tretman mjekësor në emergjencën rajonale të Mitrovicës Jugu.

    Kameramani dhe nxënësit e tjerë në prezencë të zyrtarëve të QPS-së janë intervistuar në stacionin policor, përderisa lidhur me rastin janë njoftuar edhe kompetentët e shkollës të cilës i përkasin nxënësit. Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, në bashkëpunim me organet e drejtësisë në rastin “Sulm&lëndim trupor” që ndërlidhen njëra me tjetrën, është duke kryer hetime, me qëllim të ndriçimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

    Njëkohësisht Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime, që të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimi apo incidenti i mundshëm, që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

    Po ashtu, Policia e Kosovës, kërkon nga qytetarët që kushdo që posedon informacione për personat e dyshuar të njoftojë Policinë në numrat kontaktues pa pagesë (192, 0800 19999, 038 550 999), si dhe përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”. Të gjitha informatat do të trajtohen në anonimitet të plotë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!