×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia e Kosovës për gjendjen në Veri: Stabile por me incidente të njëpasnjëshme, po hetojmë autorët e sulmeve

    Reporteri
    09 Dhjetor 2022 | 17:15

    Policia e Kosovës ka njoftuar për gjendjen aktuale në veri të vendit, ku thonë se incidentet nuk kanë të ndalur, por se megjithatë situata është stabile dhe e menaxhueshme.

    Përmes një komunikate për media, nga Policia kanë deklaruar se individë të caktuar e grupe kriminale, po vazhdojnë me incidente e sulme, me qëllim që të shkaktojnë frikë e panik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individ apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore”, bëhet e ditur në komunikatë.

    Tutje, theksohet se PK në vazhdimësi po e përcjell situatën përmes shtimit të trupave policore në terren.

    Ndërkaq, lidhur me autorët e sulmeve në Veri, Policia ka filluar hetimet për identifikimin e tyre.

    “Policia e Kosovës, është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprat e tilla kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.” /Reporteri.net/.

    Komunikata e plotë:

    Referuar zhvillimeve aktuale në Veri të vendit, Policia e Kosovës në vazhdimësi po përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë, konform të cilave edhe ka ndërmarrë masat e nevojshme duke rritur kapacitetet e saja policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike, mbrojtjes së jetës e pronës si dhe parandalimit të incidenteve dhe akteve të ndryshme kriminale.

    Situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individ apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore.

    Edhe përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm “Vrasje e Rëndë në

    Tentativë dhe Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” si dhe rasti i ndodhur sot “Kanosje” ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com, Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

    Si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj njësitit policorë, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës ishte plagosur, i cili pas trajtimit mjekësorë është në gjendje të mirë shëndetësore. Në rastet tjera nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara në objekte dhe automjete.

    Policia e Kosovës, është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në veprat e tilla kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.

    Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore, njëkohësisht fton të gjithë qytetarët për qetësi dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës e cila ç’do herë do të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallime.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!