×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia kap mall të kontrabanduar, “dostat” iu dalin në ndihmë kontrabandistëve të kapur

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 18:43

    Një furgon përplot me mallra kontrabandë që ka hyrë ilegalisht nga Serbia, është ndaluar nga një patrullë e policisë së Kosovës sot rreth mesditës në fshatin Zhitkovc të Zveçanit.

    Por policia e Kosovës është penguar dhe kërcënuar nga serbët të cilët, i kanë dalë në ndihmë kontrabandistëve.

    Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i policisë Daut Hoxha, i cili ka thënë se policia ka kërkuar asistencë nga njësi shtesë për rastin në fjalë.

    “Me datën 19.06.2019 rreth orës 11:20, Policia e Kosovës, konkretisht njësiti nga stacioni policor për mbikëqyrje të kufirit-Zubin Potok, në një fshat të Komunës së Zveqanit, ka ndaluar një furgon i cili ishte i ngarkuar me mall të dyshuar kontrabandë (gjëra ushqimore), derisa zyrtarët policor po e kryenin punën e tyre në vend ngjarje janë mbledhur një numër i konsideruar i personave të dyshuar të cilët i kane dal në ndihmë personit i cili kontrabandonte mallra, dhe kanë filluar qe mallin ta zbrazin nga furgoni për ta ngarkuar ne mjete tjera transportuese. Personat e dyshuar kanë penguar dhe kërcënuar zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave te tyre dhe është ndier nevoja për asistencë të njësiteve tjera shtesë për reagim te shpejte të Policisë të cilat kanë arritur në atë lokacion. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent për veprime të mëtejme”, ka thënë Daut Hoxha zëdhënës i policisë për Reporteri.net.

    Hoxha bën të ditur se është shoqëruar në polici drejtuesi i furgonit dhe disa persona të tjerë.

    “Sipas rekomandimeve të prokurorit kompetent do të ndërmerren veprimet e mëtejme për inicim të rastit dhe procedura ligjore, dhe deri tani disa persona, duke përfshirë edhe shoferin e furgonit, janë shoqëruar për intervistim në polici nga hetuesit kompetent të drejtorisë rajonale Mitrovicë veri, për të vazhduar me procedura të mëtejme”, thotë ai.

    Hoxha shton se raste të tilla kanë ndodh edhe në të kaluarën ku janë vendos edhe pengesa në rrugë për të mos lejuar konfiskimin e mallrave të kontrabanduara, sidomos në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor për mbikëqyrje të kufirit-Zubin Potok. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!