×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia shkatërron rreth 600 armë të shkurtra të lehta

    Reporteri
    14 Nëntor 2019 | 14:47

    Policia e Kosovës, nën mbështetjen dhe përkrahjen e UNDP-së sot shkatërroi një sasi të armëve të shkurtra dhe të gjata, të cilat janë konfiskuar gjatë realizimit të detyrave dhe hetimeve policore.


    Procesit të shkatërrimit të armëve i ka parapri një konferencë në të cilën kanë marr pjesë, Zëvendësministri i MPB-së Izmi Zeka, zëvendësdrejtori i PK-së Samedin Mehmeti, Maria Suokko nga UNDP-ja dhe Hakan Ejdervik nga zyra e BE-se, të cilët vlerësuan se shkatërrimi i armëve të paligjshme, përbën një element të rëndësishëm të kontrollit të armëve në Kosovë si një metodë efektive për reduktimin e numrit aktual të armëve në tregun e paligjshëm e që reflekton në ngritjen e nivelit të sigurisë.

    Të gjitha armët dhe municioni i akumuluar iu përkasin llojeve të ndryshme, përderisa shkatërrimi i tyre është bërë me urdhëresë të organeve të drejtësisë, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e parapara ligjore.

    Në krahasim me metodat e tjera në dispozicion, të tilla si shitje ose dhuratë, shkatërrimi siguron se armët nuk do të gjejnë rrugën e tyre (përsëri) në tregun e paligjshëm dhe në këtë mënyrë mund të ndërtohet besim në përpjekjet e përgjithshme për të parandaluar, luftuar dhe çrrënjosur tregtinë e tyre të paligjshme.

    Shkatërrimi i këtyre armëve mund të llogaritet edhe si një aktivitet shtesë i realizuar në kuadër të Strategjisë të Kosovës për Kontrollin e Armëve për Zvogëlimin e Rrezikut nga Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!