×
  • Lajme
  • Lajme

    “Pozicioni i BE-së është i njohur”, Brukseli nuk e komenton premtimin e Kurtit për ambasadorin turk rreth ambasadës në Jerusalem

    Reporteri
    02 Mars 2021 | 22:39

    Komisioni Evropian nuk e ka komentuar ‘premtimin’ e djeshëm të, Albin Kurtit, për ambasadorin e Turqisë, për rishqyrtimin e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jurusalem, si pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington. Krejt çka kërkon Brukseli është se referimi i qëndrimit të BE-së rreth kësaj çështje, që tashmë është i njohur.


    Lideri i VV-së, Albin Kurti, dje në takimin me ambasadorin e Turqisë, Cagri Sakar, i premtoi këtij të fundit se do ta rishqyrtojë vendimin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në qytetin e Jerusalemit.

    Për takimin e fjalën e dhënë të Kurtit për ambasadorin turk, nuk kanë dashur të komentojnë shumë nga Komisioni Evropian, që udhëhiqet nga gjermania Ursula von der Leyen.

    Të paktën kështu i është thënë Gazetës Online ‘Reporteri.net’, nga Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Europian, i pyetur për komentet e Brukselit për takimin dhe premtimin që Kurti i dha dje ambasadorit Sakar.

    “Nuk kemi ndonjë koment, takimet ndërmjet liderëve të partive politike dhe diplomatëve të huaj janë çështje të tyre bilaterale. Pozicioni i BE-së mbi Jerusalemin dhe përfaqësimin diplomatik të huaj në Izrael është i njohur dhe nuk ka ndryshuar”, tha Stani për Reporteri.net.

    E qëndrimin e BE-së karshi vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, e ka ripërsëritur dje për Gazetën Online “Reporteri.net” Zyra e Përfaqësuesit të BE-së, Josep Borell.

    Duke theksuar se Kosova duhet të veprojë në përputhje me synimin e saj për t’u integruar në BE, zëdhënësi i spanjollit Borell, Dinka Zivalj citoi Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit “që fton të gjithë anëtarët e OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv”.

    “Kosova e ka identifikuar integrimin në BE si prioritet të strategjik dhe pritet të veprojë në përputhje me këtë angazhim. Në përputhje me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, që fton të gjithë anëtarët e OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe Delegacioni i BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Borellit, Dinka Zivalj, për Reporteri.net.

    Sipas Zyrës së Borellit çështja e statusit të Jerusalemit duhet të zgjidhet nëpërmjet negociatave.

    Kujtojmë që javën që shkoi, Kurti pranoi letra nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në lidhje me vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. I fundit, e ftoi Kurtin që si Kryeministër të marrë pjesë në hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

    Kosova dhe Izraeli tashmë kanë zyrtarizuar njohjet reciproke, e cila u arrit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, më 4 shtator të vitit të shkuar, me ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, si pjesë e marrëveshjeve që Kosova e Serbia nënshkruan me SHBA-të për normalizim marrëdhënieve dhe zhvillim ekonomik.

    Marrëveshja parasheh se Kosova duhet të vendosë ambasadën e saj në Jerusalem, ku ndodhet edhe ambasada e SHBA-ve në Izrael.

    Shqyrtimi i këtij vendimi ka qenë një nga zotimet e fushatës zgjedhore e dhënë nga zyrtarë të partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që brenda javësh pritet të krijojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, pas fitores së zgjedhjeve të 14 shkurtit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!