Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë në vlerë rreth 133 mijë euro, për shërbime për realizimin e përgjithshëm të edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (Forumi WPS), shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas dosjes së publikuar në e-Prokurorim, vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 250 mijë euro. Në fund, kontrata i është dhënë kompanisë “VM3 SH.P.K”, në vlerë prej 133 mijë e 517 euro.
Kontrata është nënshkruar më 15 shtator. Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 12 ditë.
Ky është edicioni i dytë i këtij forumi, që pritet të mbahet më 23 tetor. Edicioni i parë është mbajtur vitin e kaluar, për dy ditë. Pjesë e këtij forumi kishin qenë 400 pjesëmarrës, liderë, diplomatë, akademikë, ministra e pjesëmarrës të tjerë.