×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja Osmani kërkon liberalizimin e vizave: Vendimi të merret më së largu në dhjetor

    Reporteri
    23 Tetor 2022 | 12:01

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim për media pas vizitës së homologut të saj nga Malta, George Vella, kërkoi që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet më së largu deri në dhjetor.

    Vizitën e Vellas, Osmani e quan dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes Kosovës e Maltës, duke e falënderuar këtë të fundit për ndihmën e vazhdueshme që ia ka dhënë Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Kjo vizitë është edhe njëherë dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe mes shteteve tona, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Maltës që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës”, tha Osmani.

    Duke folur për çështjen e vizave, Presidentja Osmani theksoi se duhet t’i jepet fund “përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ky proces” me shpresën që vendimi për liberalizim të vizave të merret më së largu deri në dhjetor.

    “Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave, duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ky proces. Prandaj, shpresojmë që vendimi të merret më së largu deri në dhjetor, përgjatë presidencës çeke dhe që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deri tanishme, duke mos përcaktuar kritere të reja teknike, të cilat vetëm sa do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani.

    Ajo foli edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që Kosova pritet ta dorëzojë së shpejti.

    “Siç e dini Kosova do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në BE, përderisa jemi të vetëdijshëm që ky është një proces që zgjatë, ky do të ishte një hap i parë ku BE-ja do ta rikonfirmonte që orientimi ynë euroatlantik janë jo vetëm në të mirë të qytetarëve tanë, por janë interes gjeo-strategjik i vet BE-së, sepse një Evropë e bashkuar e unifikuar në paqe është e pamundur pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në të”, u shpreh tutje ajo. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!