Presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka takuar udhëheqësit e autoriteteve të sigurisë, një ditë pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Osmani është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.
Siç njofton Presidenca e Kosovës, në këto takime u diskutua për situatën e shkaktuar nga sulmi në kanalin Ibër-Lepenc dhe masat që kanë ndërmarrë institucionet tona për ta menaxhuar situatën e krijuar.
Në njoftim theksohet se presidentja Osmani ka shprehur vlerësim të lartë dhe mirënjohje për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar.
“Pas sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës ka takuar edhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti. Në këto takime u diskutua për situatën e shkaktuar nga sulmi në kanalin Ibër-Lepenc dhe masat që kanë ndërmarrë institucionet tona për ta menaxhuar situatën e krijuar.
Presidentja Osmani ka shprehur vlerësim të lartë dhe mirënjohje për të gjitha institucionet e Kosovës për menaxhimin e suksesshëm të situatës së krijuar”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjatë ditës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend, një ditë pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, njoftoi Presidenca.
Ajo e takoi ndaras edhe Enrico Barduanin, komandantin e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”. /Reporteri.net/