×
  • Lajme
  • Lajme

    Pretendimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, Prokuroria nis hetimet

    Reporteri
    08 Dhjetor 2022 | 13:51

    Prokurori special Blerim Isufaj ka konfirmuar nisjen e hetimeve për pretendimet e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

    I kontaktuar nga Gazeta Express, prokurori Isufaj tha se hetimet kanë filluar, teksa shtoi se “nuk mund të thotë asgjë më shumë rreth rastit”.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë të jashtëzakonshme për media sot ka thënë se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shkruan Reporteri.net.

    Haxhiu tha se ky është një akt i rëndë kriminal.

    “Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një rast i rëndë, kriminal. Kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit dhe drejtorin e Policisë. Sot në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim”.

    Haxhiu: Ka ndodhur një akt i rëndë kriminal, janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë

    Në raftat apo mbajtëset e epruvetave kanë qenë: 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit. Nga këto Instituti dy epruveta me gjak ja ka dhënë Institutit Zviceran dhe një Policisë për ADN. Pra aktualisht, sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, vetëm këta persona i kanë çelësat në këtë vend. Çdokush që ka ndjekur këtë rast dhe procesin hetimor e ka të qartë se prej 6 vitesh të gjitha provat, rrethanë e faktorë është synuar të zhduket e shtrembërohet apo të eliminohet”, tha Haxhiu ndër të tjera në konferencë.

    Haxhiu tha se personat përgjegjës do të sillen para drejtësisë derisa hodhi dyshime për punën që bëhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Protokolli i vendit kur ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Ata që kanë pasur guxim të veprojnë në këtë mënyrë nuk zbrapsen nga përfshirja në një rast të tillë penal. Po ju them këtu dhe publikisht që autorët do të gjinden dhe autorët do të zbulohen”, tha Haxhiu. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!