×
  • Lajme
  • Lajme

    Prindon Sadriu i del në mbrojtje bashkëshortes, kapet keq me këshilltarin e Thaçit në Twitter

    Reporteri
    13 Mars 2020 | 12:46

    Këshilltari i Presidentit të Kosovës, Artan Behrami, dhe burri i kryekuvendares, Vjosa Osmani, janë përplasur keq në Twitter.


    Një debat të tillë mes Behramit dhe Prindon Sadriut e ka nxitur një shkrim i të parit, i cili ka thënë se Albin Kurti, Veton Surroi dhe Vjosa Osmani kanë një gjë të përbashkët “Luftën me Don Kishotin”, për të gjetur një vend në historinë e Kosovës.

    “Është një gjë e përbashkët që e kanë Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Veton Surroi. Luftën e Don Kishotit: gjetja e një vendi në historinë e Kosovës. Asnjëri në luftën e UÇK-së për çlirimin nga Serbia dhe asnjëri në deklarimin e pavarësisë nga Serbia. Por historia ka një vend për liderët, jo ndjekësit”, ka shkruar Behrami në profilin e tij zyrtar në Twitter.

    Ndaj një deklarate të tillë ka reaguar burri i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu. Ai i ka thënë Behramit se është turp që një person si ai prezanton zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës.

    Sadriu tutje ka thënë se gjithmonë do të ketë vend në faqen e errët të historisë për ata që përçajnë dhe shkaktojnë urrejtje.

    Pas kësaj replike të Prindon Sadriut ka reaguar përsëri këshilltari politik i Thaçit, duke thënë se në të vërtetë ka gjithmonë vend në anën e errët të historisë për ata që përçajnë, duke përmendur kështu fjalimet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës ku u diskutua për raportet me SHBA-në.

    “Unë jam një këshilltar politik. Por është për turp se si një diplomat i Kosovës vepron në mënyrë joprofesionale dhe marrin anë politike publikisht. Unë pajtohem se është një vend i errët në histori: ata që nxisin urrejtje dhe përçarje janë Kryeministri dhe Kryetarja e Parlamentit. Shijoj xhirimet e djeshme si një paragjellë”, ka shkruar tutje Artan Behrami.

    Duket se gjithë përplasja mes zyrës së presidentit me kryeministrin dhe kryeparlamentaren ka ardhur si pasojë e fjalimeve të këtyre dy të fundit në seancën e Kuvendit të Kosovës. Kurti ka akuzuar Thaçin se ka bërë marrëveshje të fshehtë me Serbinë, ndërkohë Vjosa Osmani ka thënë se taksa ndaj Serbisë duhet të largohet në të njëjtën kohë me largimin e Thaçit nga dialogu, që sipas saj e ka izoluar në kundërshtim me Kushtetutën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!