Profesori amerikan paralajmëron: Kosova në rrezik, mund të hapet front i ri

“Kjo luftë do të mbarojë vetëm kur të jetë mposhtur Rusia”. David Philips, drejtori i programit për paqen dhe të drejtat e njeriut në institutin respektiv në Universitetin e Columbias, në një intervistë për A2 CNN shprehet i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas fushatës të Vladimir Putin në Ukrainë.

Sipas tij, “është një situatë shumë shqetësuese. Deklarata e Putinit para dy ditësh, për përdorim të armëve bërthamore, tregon që lufta mund të bëhet më e gjerë, nuk përjashtoj që Putini mund të përdorë armë kimike, biologjike e bërthamore, ndaj jam shumë i shqetësuar”.

Tutje Philips tha se ndoshta në dimensione me të vogla, një situatë e tillë mund të ndodhë edhe në Ballkanin perëndimor, ku Serbia duket i vetmi aleat i Kremlinit në rajon.

“Bota është e ndarë midis demokratëve dhe autokratëve. Vuçiç është në anën e autokratëve. Nëse Putini ndihet i dëshpëruar për shkak të humbjes së luftës, mund të përpiqet ta shpërqendrojë Perëndimin dhe NATO-n, duke hapur një front tjetër e duke përdorur Serbinë dhe Vucicin si një luftë në distancë. Duhet të përgatitemi për këtë”, shton profesori amerikan.