×
  • Lajme
  • Lajme

    Programi qeverisës 4-vjeçar i Kurtit: Nuk jepet ndonjë datë e caktuar për liberalizimin e vizave

    Reporteri
    11 Maj 2021 | 20:01

    Qeveria Kurti, në programin 4-vjeçar qeverisës, në pjesën për liberalizimin e vizave, nuk kanë dhënë ndonjë datë të caktuar për liberalizimin e vizave, duke e cilësuar dhënien e datave si gabim nga qeveritë e kaluara.


    “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të bëjë gabimet e së kaluarës duke dhënë data të gabuara. Me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë do të punojmë me qeveritë e shteteve që ende janë skeptike që të arrijmë liberalizimin e vizave për qytetarët tanë sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në programin qeverisës.

    Në anën tjetër, aty thuhet se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

    “Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Evropian e mbështesin dëshirën e qytetarëve të Kosovës për të mos mbetur vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Janë disa nga qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të cilat ende hezitojnë”, potencohet tutje në program.

    Ndërkaq, në politikën e jashtme, përmendet edhe koordinimi me SHBA’të, gjë e cila nuk është vërejtur në draft-programin qeverisës të Kurtit, për të cilën ka marrë edhe kritika.

    “Politika e jashtme e Republikës së Kosovës synon forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës dhe për arritjen e këtij synimi do të jetë e pavarur, serioze, e parashikueshme dhe e guximshme, si dhe bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-të dhe vendet e BE-së”, thuhet në pjesën e programit politik për politika të jashtme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!