×
  • Lajme
  • Lajme

    Nuk kalon projektligji për vlerat e UÇK-së, nuk e votojnë VV e LDK

    Reporteri
    13 Gusht 2020 | 11:04

    Kuvendi i Kosovës nuk e ka votuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së.


    Kësisoj, projektligji kthehet prapa për votim në ndonjë rast tjetër.

    Në sallë ishin 68 deputetë, por vetëm 36 morën pjesë. 35 votuan për dhe një kundër. Abstenime nuk pati.

    Pro ligjit votuan të gjithë deputetët e PDK-së që ishin në seancë, ata të AAK-së, NISMA dhe deputetë të minoriteteve jo-serbe.

    Edhe pse në seancë ishin të pranishëm deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të LDK-së, nuk morën pjesë fare në votim duke bllokuar miratimin e ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

    Para se të hidhet në votim, Partia Demokratike e Kosovës i bëri thirrje deputetëve që sot ta votojnë projektligjin për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që deputetët ta gjejnë forcën e të votojnë projektligjin në fjalë.

    “Uroj që deputetët të gjejnë forcën sot, përkundër presionit, ta njohin ligjërisht vlerën më sublime të popullit tonë!”, ka shkruar ajo, shkruan në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    Kujtojmë se ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, në një reagim në Twitter ka thënë se ligji i propozuar është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    “Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19”, thuhet në reagim. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!