×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim ndaj katër të dyshuarve për fajde, detyrim dhe rrëmbim

    Reporteri
    22 Qershor 2024 | 12:55

    Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar masën e caktimit të paraburgimit ndaj katër persona që u arrestuan më 20 qershor nën dyshimet për fajde, detyrim dhe rrëmbim.

    Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Po, është parashtru kërkesa”, ka thënë shkurt Nikçi për Reporteri.net.

    Kujtojmë se ministri i Punëve të Brendshme ka publikuar pamjet e operacioneve policore kundër fajdeve dhe detyrimit, të cilat Policia e Kosovës i realizoi të enjten dhe të premten në disa rajone, ku ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar shtatë persona, të cilët nëpërmjet aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët përmes frikësimit dhe detyrimit fizik.

    “Në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, Policia e Kosovës ka realizuar dje dhe sot operacione në luftimin e aktiviteteve kriminale të fajdes dhe detyrimit”, ka shkruar Sveçla.

    “Deri më tash janë arrestuar 7 persona, të cilët përmes aktiviteteve kriminale kanë përfituar vlera milionëshe nga qytetarët tanë përmes frikësimit dhe detyrimit fizik”, ka thënë ai.

    “Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar. Do ta vazhdojmë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në Republikën tonë”, ka shkruar ai.

    “I lus dhe inkurajoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë që askush të mos jetë viktimë e individëve apo organizimeve kriminale”, ka deklaruar Sveçla.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!