×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria në kërkim të provave kundër katër burrave që shteti i ktheu nga Siria

    Reporteri
    14 Gusht 2019 | 17:10

    Prokuroria Speciale është duke siguruar prova të reja për punën që kanë bërë katër persona nga Kosova, të cilët kanë marrë pjesë si ‘luftëtarë’ në zonat e konfliktit në Siri. Me kompletimin e këtyre provave do të ngrihen aktakuzat për këta katër të riatdhesuar. Por, kjo gjë nuk pritet të ndodhë para muajit shtator. Kështu i ka thënë Gazetës Prokurori Special që po merret me këto raste, Afrim Shefkiu. Të pandehurve u është vazhduar masa e paraburgimit. Ndërkohë Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak katër grave të riatdhesuara, duke ua vazhduar në anën tjetër masën e ndalimit 24 grave të tjera edhe për dy muaj


    Ende nuk është ngrehur aktakuzë nga ana e Prokurorisë Speciale për katër personat të cilët gjatë muajit prill, në mënyrë të organizuar, u kthyen në Kosovë nga zonat e konfliktit. Ani se katër luftëtarë të huaj tashmë gjenden në paraburgim.

    Në Prokurorinë Speciale të Kosovës deklarojnë se ngritja e aktakuzave për këta katër personat do të marrë kohë.

    Prokurori Special, i cili po merret me këto raste, Afrim Shefkiu, në një prononcim për Gazetën Express, ka konfirmuar se janë duke i vazhduar hetimet. Ai thotë se po mbledhin prova të reja. E kur t’i mbledhin të gjitha provat, Shefkiu thotë se do të ngihen aktakuzat.

    Por kjo gjë, nuk pritet që të ndodhë para muajit shtator.

    “Ne jemi duke i vazhduar hetimet. Ata janë ende nën procedurën hetimore. Burrave iu ka vazhdu masa e paraburgimit. Jemi duke i sigurua disa prova shtesë për ta. Nuk besojë që para shtatorit do të ngrihen aktakuzat e para”, ka deklaruar për Express prokurori që po merret me këta katër kosovarë që dyshohet se kanë luftuar në zonat e konfliktit në Siri.

    Këta katër persona tashmë gjenden në paraburgim.

    Ndërkohë njëqind e dhjetë kosovarët që për disa vite kanë qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, u kthyen në Kosovë gjatë muajit prill. Përmes Turqisë, në Aeroportin e Prishtinës erdhën 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë të ISIS.

    Të gjitha grave, gjykata u kishte caktuar masën e paraburgimit.

    Mirëpo para një jave Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që katër grave të riatdhesuara nga Siria t’iu ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, duke ua zëvendësuar me atë të paraqitjes në polici, ndërkohë 24 grave të tjera t’iu vazhdohet masa edhe për dy muaj të tjerë.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim dhe 24 të pandehurave u ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje edhe për nga 2 muaj për secilën veç e veç, për 4 të pandehura është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak dhe është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, ndërsa për katër të pandehura nuk ka pasur kërkesë për masë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

    Kujtojmë se në muajin prill të këtij viti, institucionet e Kosovës riatdhesuan 110 kosovarë, të cilët ishin duke qëndruar në kampe në Siri. Në mesin e të riatdhesuarve janë katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

    Gratë e kthyera nga Siria hetohen për pjesëmarrje apo organizim në grup terrorist.

    Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës kanë thënë se në Siri vazhdojnë të mbesin edhe dhjetëra qytetarë të Kosovës, mirëpo ende nuk dihet kur mund të kthehen.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!