×
  • Lajme
  • Lajme

    PSD-ja do të dorëzojë kallëzim penal ndaj ministrit Vitia

    Reporteri
    16 Shtator 2021 | 17:40

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se ditëve në vijim do të dorëzojë kallëzim penal ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për shkelje të Ligjit për Pandeminë.


    Molliqaj përmes një statusi në Facebook ka shkruar se Vitia nuk i është përmbajtur Ligjit për Pandeminë kur janë marrë masat anti-COVID. Për më tepër, ai akuzon ministrin e Shëndetësisë “se ka prodhuar pasoja të rënda me papërgjegjshmërinë e tij”.

    “Shikojeni ju lutem Ligjin për Pandeminë tek pjesa ku flitet për mënyrën e vendimmarrjes. Është e qartë shkelja. Sipas nenit 12 në pikën 4, vendimet e ministrit kur merr masa për pandeminë duhet të jetë në PËRPUTHJE me rekomandimet e IKShP-së dhe të OBSh-së. Vetë ministri Vitia përballë gazetares Jeta Xharra na tregoi mbrëmë se nuk ka qenë kështu. Ai tha se IKShP më datën 12 gusht kishte kërkuar prej tij vendosje të masave kufizuese. Vendimi i Ministrisë është në shpërputhje flagrante me rekomandimet e Institutit, por mbi të gjitha, ishte në shpërputhje me situatën kritike epidemiologjike.IKShP po rekomandonte masa për të mbrojtur jetën njerëzore nga pandemia, por Vitia kishte detyrim t’i përgjigjet idilikës së shefit të tij. Mrekullia ekonomike që po ndodh këtu s’është parë në këto kohë as në këto anë. Ky është konkluzioni përfundimtar i dhënë në krye të heres. Andaj hapje totale. Shifrat duheshin prodhuar me çdo kusht. Rruga, mënyra apo kostoja s’kishin rëndësi. Arben Vitia ka kryer shkelje të rëndë. Papërgjegjësia e tij ka prodhuar pasoja të rënda dhe të pariparueshme. Bëhet fjalë për qindra jetë të humbura të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ai.

    Në fund, Molliqaj ka paralajmëruar një kallëzim penal ndaj Vitisë ditëve në vijim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!