×
  • Lajme
  • Lajme

    PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve: Policia përdori dhunë gjatë arrestimit

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 11:22

    Partia Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimit të disa prej aktivistëve të saj në mesin e tyre edhe kryetarin e këtij subjekti Dardan Molliqaj, pas një aksioni që zhvilluan kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.


    “Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata”, thuhet në reagimin e PSD-së.

    PSD thekson se Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi.

    “Si e tillë, nuk mund të lejojmë asesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti dhe Agron Kabashi të cilët u arrestuan gjatë aktivitetit sot”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, aktivistët e kësaj partie, Bardh Ahmeti dhe Lisjan Perolli, kanë hyrë në vendin ku po mbahej konferenca, duke fshikëllyer drejt kryetares së Speciales.

    “Nuk mund ta lejojmë të kalojë në qetësi, është përfaqësuese e një gjykate të padrejtë që nuk mund të sjellë qetësi, duan ta ndryshojnë historinë e luftës së Kosovës, duke e bërë si një luftë që ka ndodhë në mes të dy agresorëve, e jo si një luftë për liri”, thanë aktivistët e PSD-së.

    Trendafilova tha se i vjen keq që nuk e kupton gjuhën shqipe për të ditur se cka thanë dy të rinjtë, megjithatë, i ka ftuar të njëjtit të kthehen në konferencë, për të bërë pyetje ndaj saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!