×
  • Lajme
  • Lajme

    PSD kërkon mbylljen e karantinës te konviktet dhe dorëheqjen e ministrave Sveçla e Vitia

    Reporteri
    11 Maj 2020 | 13:59

    Partia Social Demokrate, në një konferencë për media të mbajtur sot ka kërkuar mbylljen e karantinës te konviktet, dhe dorëheqjen e ministrave Sveçla e Vitia, si përgjegjës për vdekjen e 26-vjeçarit nga Gjilani, i cili ishte kthyer nga Gjermania. 


    PSD-ja në këtë konferencë thonë se rasti tragjik që kishte ndodhur në Qendër të Studentëve, bëri që e gjithë vëmendja e publikut nga kjo qendër, shkruan Reporteri.net

    “Po kaq ditë kanë kaluar që kur kryeministri Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë rast. Siç kemi parë kryeministri Kurti del para mediave për tema banale, ndërsa për këtë rast ka heshtu. Njejt edhe Ministri i Shëndetësisë Vitia, i cili gjatë pandemisë është shndërruar në një yll televiziv ndërsa ka kohë që nuk është paraqitur në publik”, thonë nga PSD-ja.

    Sipas PSD-së, që nga rasti i Agon Musilut, 26-vjeçarit që humbi jetën në konvikte, u shfaqen edhe parregullësi të tjera në QS, ku disa personave u janë lëshuar çertifikata të falsifikuara për lirim nga karantina e poashtu janë bërë edhe lirime selektive duke shfrytëzuar kështu lidhjet politike.

    “Për më shumë janë shfaqur foto e video të ndryshme të cilat dëshmojnë se këto pretendime e parregullësi janë të vërteta”, kanë thënë nga PSD.

    Në këso raste tragjike, sipas PSD-së hetimet duhet të jenë tragjike dhe rezultatet të jenë të shpejta sepse janë pretendime shumë të rënda të shkeljeve të ndryshme.

    “Personat që kanë qenë fajtorë duhet të dalin para drejtësisë dhe të ndjeken penalisht. Përveç ndekjes penale janë dy persona që duhet të mbajnë përgjegjësi politike për rastin. Pra, janë Sveçla e Vitia të cilët edhe janë përgjegjës të këtij rasti”, thuhet në konferencen e mbajtur nga PSD.

    Ndryshe, PSD-ja në këtë konferencë kërkojnë dorëheqjen e Ministrit Vitia dhe Sveçla sepse sipas tyre kjo është një hap i parë që të sigurohet që të kemi një hetim të pavarur.

    Mirëpo, PSD-ja përveç se kërkon shkarkimin e këtyre dy ministrave, kërkon edhe mbylljen e karantinës në QS, për shkak se sipas tyre ekzistenca e karantinës është e panevojshme dhe totalisht absurde të mbetet ende hapur. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!