×
  • Lajme
  • Lajme

    Pupovci thotë se në arsim nuk janë bërë përgatitje për valën e dytë të coronavirusit

    Reporteri
    22 Shtator 2020 | 9:56

    Në Kosovë tashmë kanë filluar përgatitjet për një valë të re të coronavirusit, ku është paralajmëruar se po bëhet gati spitali me 500 shtretër, por përgatitje nuk janë bërë sa i përket procesit të mësimit.


    Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci në një intervistë për Telegrafin ka thënë se nuk ka ndonjë përgatitje të veçantë për skenarin C të Ministrisë së Arsimit e Shkencës, i cili parasheh mësimin në distancë në rast të përkeqësimit të situatës me COVID-19.

    “Unë nuk po shoh që ka ndonjë përgatitje të veçantë për mësimin në distancë, përveç që janë bërë disa regjistrime të njësive mësimore dhe po vazhdon regjistrimi i tyre, mirëpo regjistrimi i njësive mësimore dhe emetimi i tyre është për raste emergjente, ndërkaq në këtë situatë, mendoj se është dashur të krijohet një situatë më e rregullt”, thotë Pupovci.

    Sipas Pupovcit, situata e krijuar tani është e parashikueshme, për dallim nga marsi i këtij viti, kur askush nuk e priste se do të përballeshim me pandemi.

    “Nuk mendoj se janë bërë përgatitjet që është dashur të bëhen, sepse ka qenë një situatë e parashikueshme, nëse në mars ka qenë situatë e paparashikueshme, atëherë tash është situatë e parashikueshme dhe nuk mund të jemi në nivelin e performancës sikur në mars e në prill të këtij viti”, u shpreh ai.

    Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar gjatë fundjavës se ditëve në vijim do ta bëjë̈ gati Spitalin për COVID-19”, me 500 shtretër në Prishtinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!