×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria e konfirmon: Veton Surroi e Blerim Shala pjesë e dialogut si ekspertë, i takoi Besnik Bislimi – me dialogun udhëheq Kurti

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 15:39

    Autor: Mirlind Behluli


    Sot u bë publike lista me gjashtë emra nga Grupi për Ballkan të cilët pritet të angazhohen në procesin e dialogut në cilësinë e ekspertëve të jashtëm. Veton Surroi, Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në dialog. Atyre pritet t’u bashkohet edhe Blerim Shala, ish-këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi.


    Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, Qeveria ka sqaruar se ky grup i ekspertëve është themeluar në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Ambasadës Norvegjeze e Grupit për Ballkan.

    Nëpërmjet zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, Qeveria ka treguar se zv. kryeministri Besnik Bislimi, i ka takuar ata ditëve të fundit.

    “Në lidhje me raportimet në fjalë, më lejoni të sqaroj se nuk bëhet fjalë për ekip negociator. Bëhet fjalë për një ekip ekspertësh të angazhuar nga Grupi për Ballkan (BPRG) në kuadër të një momorandumi të mirëkuptimint në mes Qeverisë së Kosovës, Ambasadës Norvegjeze dhe Grupit për Ballkan që është nënshkruar javën e kaluar. Në këtë ekip ekspertësh mes tjerëve do angazhohen edhe z. Surroi dhe z. Shala. Zëvendëskryeministri Bislimi sipas portfolios së tij është takuar me ekipin ditëve të fundit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë për Reporteri.net.

    Tutje në përgjigje thuhet se dialogun do ta udhëheqë kryeministri Kurti duke u këshilluar me Presidenten Vjosa Osmani, por përgatitjet rreth tij do t’i bëj zëvendësi i parë i Kurtit.

    “Kryeministri Kurti ka theksuar vazhdimisht se dialogu duhet të përgatitet mirë. Kjo do të kërkoj kohë dhe angazhim. Për t’i dhënë seriozitetin dhe vëmendjen e duhur, kryeministrin Kurti ka ngarkuar zv. kryeministrin Bislimi edhe me përgjegjësinë e dialogut dhe përgatitjeve rreth tij. Qeveria dhe kryeministri Kurti do të udhëheqë me dialogun. Këtë do ta bëjë duke u koordinuar dhe këshilluar me presidenten Osmani, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara aty”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

    E Qeveria Kurti e ka në plan të takohet edhe me opozitën.

    “Jemi në muajin e dytë të qeverisë dhe presim qe në një kohë të përshtatshme të fillojmë konsultimet me të gjtiha subjektet politike ne Kuvend. Sa i përketë ekipit, ai do të caktohet varësisht nga temat e diskutimit, sipas fushave të përgjegjësisë dhe të ekspertizës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!