×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria e Kosovës tregon se çfarë u diskutua në takimin Kurti-Borrell

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 16:22

    Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, njëherësh nënkryetar i Komisionit Evropian. Në takim u bisedua për çështje bilaterale, zhvillimet në rajon, dhe për dialogun Kosovë-Serbi.


    Në këtë takim, në kuadër të vizitës së parë jashtë vendit, delegacioni i Kosovës i prirë nga kryeministri Kurti, shprehu përkushtimin për reforma të thella në vend dhe integrim evropian.

    Kryeministri Kurti theksoi nevojën për mbështetje nga Bashkimi Evropian për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e programit të saj në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe përpjekjet për të luftuar suksesshëm pandeminë COVID-19 dhe sigurimin e dozave të reja të vaksinave.

    Ai tha që Kosova e sheh Bashkimin Evropian, jo vetëm si strukturë institucionale por edhe vlerë historike parimore dhe vizion progresiv për të ardhmen.

    Kryeministri Kurti ritheksoi se orientimi i Kosovës për BE dhe NATO është i qartë dhe pa alternativë.

    “Përfaqësuesi i Lartë Borrell u shpreh i kënaqur me vizitën e kryeministrit Kurti, dhe e falënderoi që ka zgjedhur Brukselin për vizitën e parë zyrtare të tij, pas marrjes së detyrës së kryeministrit.

    Ai e përgëzoi për mandatin e fuqishëm dhe besimin e madh që ka marrë nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe uroi që me këtë mandat dhe besim ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian.

    Përfaqësuesi i Lartë Borrell tha se Kosova dhe qeveria e saj mund të llogarisin në përkrahjen e Bashkimit Evropian, i cili është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës”, njofton ZKM.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!