×
  • Lajme
  • Lajme

    Bisedimet për qeverinë e re, akoma s’ka datë për takimin Kurti-Mustafa

    Reporteri
    08 Nëntor 2019 | 14:17

    Të enjten është zhvilluar takimi i gjashtë dhe i fundit midis grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për harmonizim të programeve për koalicionin që pritet ta qeverisë vendin.


    Pas takimit, të dyja subjektet politike kanë deklaruar se kanë pasur një pajtueshmëri për shumë tema; ndërsa çështjet e mëdha janë lënë për t’u diskutuar mes liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës.

    Klan Kosova ka kontaktuar zyrtarin e VV-së për Informim, Arlind Manxhukën, për të mësuar nëse ka ndonjë datë të caktuar se kur do të takohen krerët e të dyja partive për të biseduar rreth formimit të koalicionit qeverisës dhe ai ka thënë se ende nuk ka ndonjë datë për këtë takim.

    “Dje përveç shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ, patëm edhe takimin e fundit mes dy subjekteve tona në nivel të grupeve punuese. Përgjatë këtyre takimeve u diskutuan veç e veç fushat dhe temat me të cilat do të merret Qeveria e ardhshme”.

    “Ajo çka u theksua dje nga takimi është se ka një pajtueshmëri për shumë tema – ndërkaq çështjet e mbetura u lanë si temë diskutimi për kryetarët e subjekteve”.

    “Ende nuk është caktuar ndonjë datë e takimit të kryetarëve, por sigurisht se do ta marrim vesh kur ajo të caktohet”.

    I pyetur se me çfarë kriteresh apo kërkesash LVV-ja po synon të hyjë në dialog me LDK-në për formimin e Qeverisë, Manxhuka ka thënë se kjo pyetje tashmë ka marrë përgjigje.

    “Ne veçse jemi në bisedime me LDK-në dhe një pyetje e tillë tashmë ka marrë përgjigje. Çështjet programore janë afruar dhe besojmë që me takimet edhe të liderëve të afrohemi drejt koalicionit të ri që do të qeverisë me vendin”.

    Kujtojmë se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së për zgjedhjet e 6 tetorit, dhe pas takimit të fundit mes grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së, kjo e fundit ka mbledhur Kryesinë për të diskutuar rreth ecurisë së dialogut në mes të dy subjekteve politike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!