×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria e re do të bënte kryeministër Avdullah Hotin

    Reporteri
    01 Prill 2020 | 12:09

    Presidenti Hashim Thaci po pret e po përcjell kryetar të partive politike. Në takimin e parë, ai priti kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, i cili rezulton që është i vetmi që dëshiron zgjedhje.


    Pas tij, në zyrën e Thacit u duk kryetari i LDK-së, Isa Musatafa, i cili në të dalë nga takimi konfirmoi se partia e tij është për qeveri të re dhe jo për zgjedhje, shkruan Reporteri.net.

    “Jemi të bindur se zgjedhjet nuk do të sillnin një situate tjetër, duke marrë parasysh vullnetin politik të partive dhe duke marrë parasysh mocionin e mosbesimit që e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit. Ne jemi që të bëhet një qeveri e re, që të ndjeken të gjitha procedurat kushtetuese, dhe procedurat e aktgjykimi të Kushtetueses të vitit 2014”, tha Mustafa.

    Ndonëse akoma nuk janë kryer takimet e presidentit me partitë e tjera, qëndrimi i tyre është bërë publik. Dihet që AAK, Nisma e AKR, janë për qeveri dhe jo për zgjedhje. Vetëm PDK-ja akoma nuk ka dhënë qëndrim të qartë, përvec asaj që dëshiron opozitën.

    E Gazeta Online Reporteri.net ka mësuar se ka një marrëveshje të pashkruar në mes të LDK-AAK-AKR dhe Nisma për të krijuar Qeverinë e re. Ky koalicion do të kishte rreth 46 vota, dhe përmes deputetëve minoritarë mund ta krijojë qeverinë e re.

    Në këto momente, dihet se LDK-ja ka të sigura vetëm 26 vota, por me shumë gjasë do ta ketë votën edhe të Ardian Shalës, deputetit që votoi kundër rrëzimit të Kurtit. Pas seancës, vetë Shala kishte thënë se nuk është kundër LDK-së por nuk dëshironte të votonte rrëzimin në kohën e coronavirusit. Por, LDK-ja dihet se i ka dy vota të humbura, atë të Vjosa Osmanit dhe Haxhi Avdylit.

    Me 27 vota të LDK-së, 13 të AAK-së, 4 të Nismës, 2 të AKR-së dhe 20 të pakicave, ky koalicion do të kishte 66 vota, të mjaftueshme për të votuar një qeveri të re pa VV-në dhe pa PDK-në.

    Sipas asaj që ka mësuar gazeta, ky koalicion do ta kishte Avdullah Hotin si shef të Qeverisë. Krejt kjo pasi po konsiderohet si kandidat i pranueshëm edhe për partitë e tjera.

    E Hoti, ndërkaq, ishte i pari që përmendi një rrëzim të Kurtit në rast se nuk përfillen kërkesat e aleatit të Kosovës, SHBA-së. Ish-zëvendëskryeministri shquhej edhe për kundërshtime të ashpra në Qeveri lidhur me vendimet e Kurtit. I tillë ishte edhe për vendimin për heqje të pjesërishme të taksës.

    Sidoqoftë, një koalicion i tillë duhet të pres një vendim të presidentit Thaci, i cili ka në diskrecion të vendos nëse kërkon ndonjë mandatar tjetër apo do të kërkojë zgjedhje të reja. Deri tash, presidenti i vendit nuk e ka marrë në konsideratë mundësinë për zgjedhje.

    Ndryshe, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, thekson se nëse kandidati i partisë së parë nuk merr votat e nevojshme për ta krijuar Qeverinë, presidenti ka në diskrecion që mandatarin t’ia jap ndonjë partie ose koalicioni tjetër./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!