×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria e vlerëson të paarsyeshme kërkesën e 20 milionë eurove nga Contour Global: Ata vetë u tërhoqën nga projekti

    Reporteri
    28 Maj 2020 | 14:16

    Gazeta Online “Reporteri.net” raportoi para dy ditësh se kompania amerikane ‘Contour Global’ e cila ishte kontraktuar nga Qeveria Haradinaj për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, dhe e cila u tërhoq nga projekti pas ardhjes së qeverisë Kurti, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës 20 milionë euro, obligime të cilat pretendon se ja ka shteti i Kosovës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti edhe tash por edhe në opozitë kishte qenë kundër këtij projekti.


    Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari sot ka konfirmuar atë që ka shkruar Reporteri se kompania amerikane i ka kërkuar 20 milionë euro.

    Por kjo ministri e quan të paarsyeshme kërkesën e 20 milionë eurove nga Contour Global, pasi thotë se ata vetë u tërhoqën nga projekti, shkruan Reporteri.net.
    Më tej në kumtesën e MEPTINIS thuhet se si në çdo rast, Qeveria Kurti do të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik.

    Komunikata e plotë e Ministrisë:

    MEPTINIS ka pranuar letrën e kompanisë “Contour Global” të 24 majit 2020. Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit.

    Para se drejtuesit e Contour Globalit të përgatisin letrën, ministrja Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”. Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, Contour Global ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën.

    Letra është vazhdimësi e përbuzjes që Contour Global ka shfaqur ndaj detyrimeve të veta kontraktore. Më 10 mars, Qeveria ka rithemeluar komitetin drejtues të projektit “Energjia nga Linjiti”, që përfshin termocentralin Kosova e Re. Më 12 mars, ministrja Hajdari ka njoftuar përfaqësuesit e Contour Globalit se kërkon diskutime të mëtejshme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin. Kurse më 17 mars, Contour Global ka njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti, duke hedhur poshtë detyrimet kontraktore, duke fajësuar pa bazë Qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike, në dëm të Republikës së Kosovës.

    Si ministre përgjegjëse për energjinë dhe kryesuese e komitetit drejtues të projektit, Ministrja Hajdari ka trajtuar çështjet me kujdes dhe ka bashkërenduar veprimet me komitetin që nga rithemelimi i tij. Ministrja tashmë ka njoftuar anëtarët e komitetit për letrën e 24 majit dhe ka thirrur mbledhjen e radhës për të shqyrtuar rastin. Znj. Hajdari është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar.

    Komiteti drejtues i projektit merr vendime në emër të Qeverisë. Si në çdo rast, Qeveria Kurti do të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik, duke u angazhuar për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Reporteri.net/.

    https://www.facebook.com/MEPTINIS.RKS/posts/1221672818177521?__xts__%5B0%5D=68.ARD_gyMYRW7iKirFTDGkOGaSrqYwbFylrHF1H-oN12iFrHtsTVDn8FboP6RU9jnLZAH8VBZyCnu3VDTc-7BAavbBfybmZz1CPoIInOb4zSkN-gks1pPi53BY0adi3hz6slcepgH_3sKkTTosBSnZl_HObob9kpDIrLrPK3dypU-moWH3F6m5M8pRvhdv8hap2b3GY-4IAiQXRr73XCJlPeDKFVirwZFox1wVvW77RbJpJR4xHri4xaRs6mUCwEk7WNgQuvYrE5q0akCsYrBMC95bG4c_HQDUh0cdJrU5ki215F1Gn2O9mP1wQKPrsa85glq6TWnmQbc5p0TnjvGywg&__tn__=-R

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!