×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria jep detaje për takimin e Kurtit me Lajçak, u diskutuan “elementet e kornizës së marrëveshjes”

    Reporteri
    22 Tetor 2022 | 16:37

    Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e sotëm të kryeministrit Kurti me ndërmjetësin evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

    Në komunikatën e Qeverisë bëhet e ditur se në takim është diskutuar për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zbatimin e plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale, shkruan Reporteri.net.

    “Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajčák për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

    Për këtë takim u deklarua para mediave edhe ndërmjetësi evropian në dialog Miroslav Lajçak.

    Ai nuk dha shumë detaje të takimit, përveçse tha se ka progres.

    “Nuk do të jap detaje, por takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”, tha ndërmjetësi evropian.

    Lajçak tha se janë dy vendet që duhet ta përcaktojnë marrëveshjen finale e se kjo nuk varet nga ndërmjetësuesit.

    Lajçak u pyet edhe për kërkesën që BE dhe SHBA i kanë bërë Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave, por tha se preferon të mos komentojë shumë mbi këtë çështje.

    “E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë në këtë çështje”.

    I pyetur për një draft të asociacionit që qarkulloi ditëve të fundit, Lajçak tha se nuk ka lidhje me ta.

    “Kam dëgjuar nga mediat e juaja, nuk kam qenë i informuar. Nuk është shpërndarë me ne. Ne nuk kemi kërkuar nga askush që ta bëjë këtë, është i ndarë nga dialogu”, tha ai.

    Ai ka pranuar se ndër diskutimet që ka pasur me Kurtin ishte edhe propozimi franko-gjerman.

    “Kemi diskutuar për propozimin gjerman, por nuk e ndihmon procesin nëse hyj në detaje. Janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt me të dy, Kurtin dhe Vuçiqin”, tha ai.

    Lajçak pas takimit me Kurtin: Kosova e Serbia duhet ta përcaktojnë epilogun e dialogut

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!