×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria Kurti e përkushtuar për raporte të mira me ShBA-në, opozita kërkon llogari për prishje imazhi

    Reporteri
    22 Maj 2021 | 8:21

    Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku në një intervistë ka thënë se nuk ka prishje të imazhit ndërkombëtar përkundrazi çdo ditë e më shumë do të ketë përmirësime në këtë drejtim.


    Megjithatë, ajo tha se Qeveria Kurti 2 është e përkushtuar për raporte më të mira me ShBA-në, ndërsa thotë se raportimet për keqësim të raporteve janë spekulime të keqdashësve dhe është për keqardhje.

    “Unë mendoj që nuk ka prishje të imazhit ndërkombëtar nëse flitet për Kosovën përkundrazi unë mendoj që çdo ditë e më shumë do të kemi përmirësime të imazhit. Tash kemi një qeveri të re që është e përkushtuar për vendosjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit dh korrupsionit”, tha ajo për EO.

    “Këto kanë qenë spekulime të keqdashësve sepse jo vetëm që populli i Kosovës por edhe çdo qeveri e pasluftës e tani në veçanti qeveria Kurti 2 është e përkushtuar për raportet më të mira me ShBA-në. Dhe unë nuk e di se ato interpretimet e keqdashësve se në çfarëdo moment ka pasur ndonjë tendencë të tillë është për keqardhje:.

    Kurse deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se vet ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, nuk e di rolin e saj në arenën ndërkombëtare.

    Sipas saj, ministrja Gërvalla flet për krimin dhe korrupsionin i cili mund të luftohet brenda për brenda shtetit.

    Deputetja Musliu-Shoshi tha se në prishjen e raporteve me ShBA-në do të ndikonte nëse Qeveria nuk respekton marrëveshjen e Uashingtonit apo zotimet që janë dhënë.

    “Ne e kemi një ministre e cila nuk e din as cili është roli i saj përfaqësues dhe nuk e dinë peshën që ka në opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë e posaçërisht te aleatët tanë ndërkombëtar. Kjo është një ministre e cila në këshillin e sigurimit fol për krimin dhe korrupsionin përbrenda shtetit të vet. Kjo duhet të jetë e vetëdijshëm se në çfarë instance fol dhe çfarë flet. Krimin dhe korrupsionin mund ta luftojë brenda për brenda shtetit”.

    “Kjo është politikë e brendshme. Ajo është ministre e punëve të jashtme dhe duhet të na përfaqësojë dinjitetshëm. Në relacionin e prishjeve të marrëdhënieve me ShBA-në, pra ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së do të ndikonte nëse nuk respektohet marrëveshja e Uashingtonit apo zotimet që janë dhënë gjatë qeverisjes Hoti. Pra nëse kjo Qeveri nuk respekton ato zotime do të ketë acarim të marrëdhënieve mirëpo ne ende nuk kemi një deklarim nga kryeministri se a do e respektojë apo jo”.

    Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadriaj theksoi se Kosova nuk është duke prishur imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, përkundrazi po punon maksimalisht në heqjen e liberalizimit të vizave.

    Sipas saj, duke shtuar se  nëse dikush po ndikon në cenimin e raporteve ose zbehje ndërmjet Kosovës dhe BE-ja janë vetë Bashkimi Evropian.

    Kadriaj tha se Kosova aleatin kryesor e ka ShBA-në dhe fokusi edhe i partive politike dhe qeverisë në tavolinën e diskutimeve janë vetë shtetet mike.

    “Unë besoj që Kosova ka bërë punë të mira dhe është populli më pro evropian dhe pro amerikan dhe çdo veprim e kemi bërë në bashkëpunim me vendet e bashkimit evropian dhe ShBA-në. Unë nuk mendoj që Kosova po punon në atë drejtim që ta prish imazhin e Kosovës përkundrazi është angazhuar maksimalisht sepse të gjitha kushtet dhe kriteret që janë përcaktuar qoftë për liberalizim të vizave por edhe në sfera të tjera i kanë kryer të gjitha ato obligime”.

    “Ndërsa nëse dikush po ndikon në cenim të raporteve ose zbehje ndërmjet Kosovës dhe BE-ja janë vetë bashkimi evropian të cilët edhe pse komisioni evropian ka dhënë sinjal të gjelbër se Kosova ka mbushur kushtet dhe kriteret për liberalizim të vizave dhe është votuar në parlamentin evropian ndërsa tash vet vendet e BE-së nuk po pranojnë dhe nuk po e heqin liberalizimin e vizave. Është e padrejtë që Kosova është vend i vetëm në rajon që ka ngelur pa liberalizim të vizave karshi kësaj edhe Evropa duhet t’i kryejë detyrimet që ka karshi Kosovës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!