×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria Kurti pa plan për lobim, MPJD thotë se është në fazën e parapërgatitjeve për aplikim në organizata ndërkombëtare

    Reporteri
    22 Korrik 2021 | 19:11

    Autor: Mirlind Behluli


    Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë plan të hartuar për lobim për të rritur numrin e njohjeve të pavarësisë së vendit. Por, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tashmë ka filluar përgatitjet për të aplikuar në organizata ndërkombëtare kur ka mbetur më pak se dy muaj nga përfundimi i moratoriumit një vjeçar anëtarësim në organizata me karakter ndërkombëtar.


    Marrëveshja e Washingtonit, i nënshkruar më 4 shtator 2020, parashihte vendosjen e një moratorium një vjeçar për Kosvën për tw mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

    Megjithatë, në një përgjigje për Gazeten Online “Reporteri.net”, MPJD ka treguar se tanimë ka nis punën përkitazi me përgatitjen për të aplikuar në organizatat ndërkombëtare.

    Por, nga përgjigja e Ministrisë së udhëhequr nga Donika Gërvalla, mësohet se Qeveria Kurti II është ende vetëm në fazën e parapërgatitjeve.

    Të njëjtin nuk kanë ofruar ndonjë listë të organizatave të targetuara ndërkombëtare.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme (MPJD), është duke u përgatitur për procesin e aplikimit në disa prej organizatave ndërkombëtare. Parapërgatitjet në këtë drejtim po bëhen nga ekipet përgjegjëse në mënyrë që të jemi gati kur të hapen afatet e aplikimeve nga organizatat”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    E ky dikaster është në fazën e hartimit të planit për lobim tek shtetet jo njohëse.

    Në përgjigjen e tyre, MPJD thekson se prioritet mbetet njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende janë refuzuese të pavarësisë së Kosovës.

    “MPJD-ja është duke punuar me një plan të qartë dhe me seriozitet të lartë karshi vendosjes së marrëdhënieve me shtetet jo njohëse. Prioritet i Qeverisë së Kosovës mbetet thellimi i raporteve me pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën me qëllim që edhe këto shtete t’i bashkohen vendeve njohëse por duke mos lënë anash angazhimin në të gjitha kontinentet për sigurim të njohjeve të reja. Një gjë e tillë është duke u bërë në formë të koordinuar dhe sipas një plani konkret”, thuhet në përgjigjen e MPJD për Reporteri.net.

    Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti në programin qeverisës e ka vendosur si prioritet forcimin e subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës përfshirë përpjekjet për njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare e bashkëpunim ekonomik e kulturor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!