×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria ua ndalon hyrjen në Kosovë qytetarëve të Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut

    Reporteri
    07 Maj 2021 | 19:18

    Qeveria e Kosovës ka vendosur edhe disa masa të reja për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.


    Në këtë kuadër u është ndaluar hyrja në Kosovë qytetarëve të Indisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut, shkruan Reporteri.net.

    Ky është vendimi i plotë: 

    Vendimi i Qeverisë për masa të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

    Në Vendimin Nr. 01/07, të datës 18.04.2021, shtohen pikat si në vijim:

     3A. Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

     3A.1 Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë duke u testuar dy herë në javë.

     3A.2 Pika 3A.1 nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë transit (më pak se 48 orë) në shtetet e përcaktuara në pikën 3A.1 të këtij vendimi.

     3A.3 Diplomatët e huaj si dhe familjarët e tyre përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 3A të këtij vendimi.

     Udhëzohen Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministria e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje me fushat e përgjegjësisë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij Vendimi.

    Plotësimi dhe ndryshimi është bërë duke marrë parasysh situatën aktuale epidemiologjike në botë, shfaqjen e varianteve të reja të COVID-19, në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, rrezikun e bartjes së varianteve të reja nga udhëtimet prej këtyre shteteve, prandaj për parandalimin e ardhjes së varianteve të reja u vendos si më lart.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!