×
  • Lajme
  • Lajme

    QKUK tregon për gjendjen e zyrtarëve të hospitalizuar të KQZ-së

    Reporteri
    14 Tetor 2019 | 21:40

    Zarfet nga të cilat dyshohet se u helmuan mbi 25 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk janë larguar akoma nga Ministria e Infrastrukturës.


    Ato po vazhdojnë të ruhen nga forcat e Policisë Speciale Operative që nga e diela kur edhe ndodhi incidenti deri sa hetimet që nisën nga ana e Prokurorisë Speciale të përfundojnë tërësisht.

    Por policët nuk po i ruajnë vetëm votat e ardhura nga Serbia.

    Ekipe të tyre u panë edhe në klinikën infektive të QKUK-së, të cilët po kujdesen që askush të mos u afrohet dhomave ku po vazhdojnë të marrin trajtimin mjekësor 11 persona që dyshohet se pësuan helmim gjatë numërimit të këtyre votave.

    Gjendja e 9 grave dhe 2 burrave gjatë së hënës ishte stabile por sipas ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së klinikës infektive, simptomat që u panë tek këta zyrtarë ishin nga më të ndryshmet.

    Rrezik nuk kanë as dy gratë që janë shtatzëna.

    Sidoqoftë në Klinikën Infektive nuk dhanë ndonjë përfundim për gjendjen e stafit të KQZ-së meqë ata ende po presin raportin e Institutit të Shëndetit Publik i cili pritet të bëhet publik gjatë së martës.

    Gjatë ditës për ngjarjen nuk dhanë ndonjë koment as nga KQZ e as nga Prokuroria Speciale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!