×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja për targat, “plus” për Serbinë në kapitullin 35 të negociatave me BE-në

    Reporteri
    24 Nëntor 2022 | 0:23

    Marrëveshja për targat e arritur sonte në Bruksel, mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë do të prezantohet si rezultat për shtetin serb në përditësimin e radhës së Kapitullit të 35-të për Serbinë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net. Ujdia e njëjtë mund të lexohet edhe si avancim në trasejen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Këtë detaj, jo pak të rëndësishëm për Serbinë, e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë së BE’së, Josep Borrell në një deklaratë për shtyp të lëshuar pas përfundimit me marrëveshje të takimit 7 orësh të Besnik Bislimit me Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Miroslav Lajcak, në Bruksel.

    “Me ndërmjetësim të BE-së, palët kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht, si një çështje urgjente, në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, i prezantuar këtë shtator nga ndërmjetësuesi i i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, njofton Borrell në deklaratën e tij.

    Kjo do të thotë se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe se Kosova do të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm lidhur me riregjistrimin e automjeteve, thekson njoftimi i Borrell.

    “BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin të trajtohen në kontekstin e propozimit”, thotë tutja kumtesa duke pasur tutje me njoftimin se “Palët pajtohen se të gjitha marrëveshjet e kaluara në kuadër të Dialogut duhet të zbatohen”.

    “Tym i bardhë” në Bruksel, arrihet marrëveshja për targat

    Zbatimi i marrëveshjeve të kaluara të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pashmangshëm, nënkupton edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që Qeveria aktuale e Kosovës e kundërshton. Të paktën deklarativisht.

    Marrëveshja për Asociacionin – që partia që sot e vetme ka pushtetin në Kosovë, atëkohë në opozitë e quante Zajednicë – u ratifikua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 si marrëveshje ndërkombëtare, por se s’u zbatua kurrë shkaku i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që ia shpalli jokushtetues disa nga pikat e parapara për themelimin e saj.

    Tutje, Borrell që të hënën u përfshi në akuza e kundërakuza me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, njofton se marrëveshja për targat e arritur sonte në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë do të prezantohet në kudër të rezultateve të Grupit të ardhëm Punues për Normalizimin me Kosovën dhe përditësimin e radhës në Kapitullin e 35-të për Serbinë.

    “Në ditët në vijim, do t’i ftoj palët që të diskutojnë hapat e ardhshëm në kuadër të propozimit me qëllim që të prezantohen rezultatet e Grupit të ardhshëm Punues për Normalizimin me Kosovën dhe përditësimin e radhës në Kapitullin e 35-të për Serbinë”, ka njoftuar spanjolli.

    Kapitulli 35 llogaritet si “dera” e Serbisë për anëtarësimin në BE.

    Kapitulli 35 ka të bëjë me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me fqinjët, gjë që për Serbinë nënkupton praktikisht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Rekomandimi për hapjen e kapitullit 35 të negociatave me Serbinë, për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian për Punë të Jashtme ia kanë paraqitur Këshillit të ministrave të Bashkimit Evropian qysh në vitin 2015. Por procesi kishte ngecur shkaku i mos përparimit në procesin e Dialogut me Kosovën.

    “Në rast pengimi nga cilado Palë, ndërmjetësuesi i i BE-së mund ta ndërpresë procesin”, paralajmëron Borrell tutje drejtuesit e Kosovës dhe Serbisë në lidhje me fazat tjera të Dialogut, që sipas komunikatës del se po shkon drejt një marrëveshje që mund të quhet e madhe.

    “Unë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajcak do të vazhdojmë të lehtësojmë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të përditësojmë rregullisht shtetet anëtare dhe partnerët e BE-së për progresin e arritur nga palët”, ka thënë Borrell në deklaratën për shtyp.

    Ndryshe, rreth orës 22:30 të së mërkurës, është njoftuar se në Bruksel është arritur marrëveshja për targat, mes Kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

    Borrell në njoftimin e parë të tij për arritjen e marrëveshjes ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Rezultat i arritjes së marrëveshjes, të paktën sipas Presidentes Vjosa Osmani është SHBA-ja. Dicka merita amerikanëve i dha edhe vetë Lajcak që qëndroi rreth 7 orë me palët në takim.

    “Kush qëndron fiton!”, ishte reagimi i VV’së, përmes zëdhënësit të saj, pas “tymit të bardhë” në Bruksel.

    Arritja e kësaj marrëveshje për targat dështoi të hënën, kur në Bruksel u takuan Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq. Takimi i pafrytshëm u ndërmjetësua nga vet Borrell, që për dështimin pa një pa dy e fajësoi Kosovën.

    Si kundërpërgjigje ai morri akuzat e Kryeministrit Kurti se Kryediplomati evropian e ka braktisur propozimin e ashtuquajtur si “plani franko-gjerman” për “marrëveshjen e madhe”.

    “BE ka një kapacitet të levës” – vizat, shtrëngimi i parë për dështimin e marrëveshjes për targat

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!