Stuhi të forta përfshijnë pjesë të Ballkanit

Një sistem shumë i fortë stuhish me vetëtima dhe bubullima masive në këto çaste po qarkullon shumë afër Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe pritet të përfshijë edhe kryeqendrën boshnjake.

Atmosfera është destabilizuar fuqishëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, perëndim të Serbisë si dhe ka disa sisteme të izoluara në Kroaci dhe Mal të Zi. Përderisa në këto rajone moti është freskuar, në viset tona ende po mbretëron vapa e fortë me zagushi sidomos në Shqipëri dhe Dukagjin.

Nesër kjo masë jo stabile ajrore pritet të shtrihet edhe në Kosovë, shumë pjesë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke shkaktuar destabilizim të fuqishëm të atmosferës, me rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë, erëra kalimthi të fuqishme dhe breshër. Temperaturat po ashtu shënojnë ulje dhe ditëve të ardhshme na pret mot më i këndshëm./MeteoBallkan