×
  • Lajme
  • Lajme / Konferencë

    Rama: Shqipëria kundër deklaratës së BE-së, duhet pasqyruar ngjarja e rëndë në veri të Kosovës

    Reporteri
    28 Shtator 2023 | 12:25
    Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria do të jetë kundër deklaratës të cilën Bashkimi Evropian e përgatiti për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, dhe nuk do të ndryshojë qëndrim, derisa BE-ja nuk pasqyron ngjarjet e rënda që ndodhën në veri të Kosovës të dielën, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Rama në konferencë për media të enjten ka thënë se vendimi i Shqipërisë nuk është mirëpritur nga BE-ja.

    “Por, nuk do të ndryshojë pa dalë deklarata që ne presim”, ka thënë Rama.

    Rama ka thënë se para se të jepte votën kundër, Shqipëria kishte kërkuar nga BE-ja që në deklaratë të reflektohet sulmi në Banjskë të Zveçanit.

    “Por, kërkesa është refuzuar, pasi tashmë ‘të gjitha vendet e unionit kishin rënë dakord për deklaratën mbi dialogun Kosovë-Serbi. Për herë të parë, në të paktën 10 vjetët e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së Jashtme të BE-së. Ky fakt ka shkaktuar një përshtjellim”, ka thënë Rama.

    “Jemi përpjekur që pardje që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit, konkretisht vrasjes e Afrim Bunjakut dhe shpalljen e zisë në Beograd për vrasjen e sulmuesve. Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë, pasi deklarata ishte konfirmim i vendeve anëtare të BE-së i qëndrimit të Borrellit pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, tha Rama.

    Ai ka thënë se Shqipëria ka thënë se është domosdosmëri që të publikohej një deklaratë e dytë mbi zhvillimet në Banjskë.

    “Na u tha se kjo është e pamundur momentalisht dhe deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë të gjithë mbështetjen e vendeve anëtare të BE. Ky qëndrim ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli. Jemi të keqardhur për këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon. Jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim. Ky qëndrim ka të bëjë me zhbalancimin total që deklarata e djeshme shkakton në këtë moment dramatik”, tha Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!