Riho Terras, Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian në konferencën e mbajtur sot në Prishtinë, ka theksuar mbështetjen e tij për rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai tha se qëllimi i tij është të sigurojë një raport të drejtë dhe objektiv për progresin e Kosovës.
“Kosova ka ndërmarrë me sukses reforma të rëndësishme drejt anëtarësimit në BE. Jemi këtu për t’i përfshirë të gjitha këto arritje në raport. Të gjitha këto informacione do të jenë në shërbim të një shkrimi objektiv të raportit të progresit që do të ndihmonte Kosovën drejt anëtarësimit”, tha Terras.
Terras bëri të ditur para gazetarëve se ka takuar sot Presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe Kryeministrin Albin Kurti, ndërsa shtoi se pritet të takojë edhe liderët e opozitës.
“Kam takuar me Presidenten dhe kryeministrin dhe kemi folu edhe për gjendjen ekonomike, do të takohem edhe me liderët e opozitës. Gjithashtu do të takohem me liderët ekonomik e organizatat joqeveritare”, ka shtuar ai.
Ai foli edhe për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit për të cilin tha se kriminelët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.
Terras e ka cilësuar si thelbësore që kriminelët përgjegjës për këtë sulm të përballen me drejtësinë.
“Jam i sigurt se të gjithë kriminelët duhet të dalin para drejtësisë, por më jepni mundësinë të krijojë një pasqyrë të plotë dhe pastaj vazhdojmë”.
Ndërkaq, sa dialogut Kosovë-Serbi, Terras nuk e ka komentuar shumë.
“Ju lutem më jepni mundësi që të takohem me të gjitha palët dhe të marr të gjitha pikëpamjet”, ka thënë ai.