×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti Dehari, kthehen në punë tre zyrtarët e shkarkuar në Ministri të Drejtësisë

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 19:15

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka kthyer në punë tre zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë të cilët u shkarkuan për implikime në rastin e Astrit Deharit.

    Bëhet fjalë për Ylber Topallin, ish-kryeinspektor në Ministrinë e Drejtësisë, Burim Buleshkaj, ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK dhe Destan Zogaj, ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Qendrës së Paraburgimit Prizren, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Lajmin për kthimin e tyre në punë e ka bërë të ditur zëvendësminitri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

    Buleshkajn e Zogajn, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), i kishte larguar nga puna në shkurt të këtij viti, për siç thuhej “veprimet dhe mosveprimet e tyre”, në rastin “Dehari”.

    Ndërsa Topalli ishte përjashtuar nga puna në Ministrinë e Drejtësisë në mars të këtij viti, për “shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”.

    Rasti Dehari, ministrja Haxhiu zbulon arsyet që çuan deri në shkarkimin e kryeinspektorit Ylber Topalli

    Sallahu e ka kundërshtuar vendimin për t’i kthyer në pozitën e punës këta të tre zyrtarë, dhe bëri thirrje që të merret parasysh Raporti i Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë si dhe të hetohet procesi i marrjes së këtyre vendimeve nga KPMSHCK-ja.

    “Duket sheshit që ky Vendim i Këshillit është i ndikuar. Si të tillë do ta kontestojmë në Gjykatë, me kërkesën për masë të përkohëshme njësoj sikur edhe i bëjmë thirrje PSRK që ta adresojë seriozisht Raportin që kemi dërguar, duke përfshirë edhe procesin deri tek kjo vendimarrje absurde dhe e paligjshme”, shkroi ai në Facebook. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!