×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti i zarfeve me helm kthen në kujtesë helmimet e Serbisë të ’90-tave në Kosovë, krimi që nuk u dënua kurrë

    Reporteri
    13 Tetor 2019 | 20:00

    Helmimet në Kosovë me gazra toksike në pranverën e vitit 1990, rezultuan si një doktrinë shfarosëse e përgatitur nga shërbimi sekret ushtarak serb, ku u helmuan me mijëra të rinj, kryesisht nxënës e në mesin e tyre kishte edhe foshnja në entet parashkollore.


    Në marsin dhe prillin e vitit 1990, më shumë se 7 mijë fëmijë shqiptarë të shkollave të Kosovës kërkuan ndihmën mjekësore nëpër qendrat mjekësore të Kosovës dhe ambulanca të improvizuara me shenja helmimi. Mjekët serbë në disa spitale refuzonin që të pranonin fëmijët e helmuar.

    Qeveria jugosllave asokohe doli me kumtesë zyrtare se në Kosovë nuk pati helmim, por e gjithë kjo ishte “një inskenim i përgatitur nga separatistët shqiptarë”.

    Kjo ngjarje e rëndë u rikujtua sot, kur 26 zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor u helmuan gjatë numërimit të votave të diasporës të ardhura nga Serbia, shkruan Reporteri.net.

    Në mesin e 26 personave, 9 persona janë shtrirë në QKUK, dy prej tyre gra shtatzëna.

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se pacientët kishin kruarje të duarve e të vjella, por që gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

    Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi ka krahasuar helmimin e sotëm me helmimet e paraluftës që bënte Serbia në Kosovë.

    “Helmimi i zyrtarëve të KQZ gjatë numërimit të votave pas hapjes së zarfeve të ardhur nga Serbia është pjesë e aktiviteteve subverzive që aparati shtetëror i Serbisë zhvillon në drejtim të Kosovës.
    Këto aktivitete janë të vazhdueshme që nga helmimi i nxënësve nëpër shkollat e Kosovës në fillim të viteve të nëntëdhjeta.
    Serbia posedon kapacitete të dijes dhe kapacitete materiale për prodhimin e armëve kimike dhe agjensve biologjik.
    Në vitet e tetëdhjeta SDB, në Institutin e Sigurisë që ndodhet në Zemun kishte zhvilluar programe të prodhimit të armatimit special i cili ishte përdorur nga operativet e këtij shërbimi në aksionet terroriste në vendet perëndimore, në drejtim të emigracionit politik shqiptar dhe kroat. Nga mjetet e përdorura në këto aksione ishin kanaçet e Coca Colës, në të cilat ishte e kamufluar masa e eksplozivit plastik me ndezës me kronometer, si dhe masa përzierje e napalmit e kamufluar në paketime cigaresh dhe në kanaçe me të cilat janë djegur bizneset e emigracionit kroat.
    Një nga mjetet kimike të përdorura nga SDB në vitet e tetëdhjeta është edhe “Tableta kundërmuese” e cila është hedhur në panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, me qëllim të sabotimit të këtij eventi kulturor për shkak të hapësirës që ky panair i kishte ofruar shtëpive botuese të Emigracionit Politik”, ka shkruar Kajtazi në Facebook.

    Deri më tani ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje që kërkon hetim të rastit dhe hetim të zarfeve që erdhën nga Serbia, si dhe Lista Srpska e Goran Rakiqit që fajëson shqiptarët se kanë inskenuar një rast të tillë.

    Procesi i numërimit të votave është ndërprerë rreth orës 11:00 pasi thuhej se zarfet e ardhur nga Serbia kundërmonin.

    Reporteri.net ndërkaq mëson nga burimet se helmi që është përdorur është për insekte dhe fatmirësisht nuk është vdekjeprurës, por se përdorimi i pakujdesshëm i tij shkakton irritim të syve dhe lëkurës.

    Rastin është duke e hetuar Prokuroria Speciale e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!