×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti Ivanoviq: Dëshmitari konfirmon praninë e grupeve kriminale në veri

    Reporteri
    16 Dhjetor 2021 | 14:30

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 16 dhjetor, ka vazhduar gjykimi lidhur me vrasjen e politikanit opozitar serb, njëherësh lider i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (GI SDP), Oliver Ivanoviq.

    Në seancën e së enjtes u dëgjua dëshmitari Ç.I.

    Ç.I, pjesëtar i Policisë së Kosovës deklaroi se Oliver Ivanoviq, të cilin e kishte mik, ndihej i rrezikuar pak para vrasjes. Ivanoviq madje, sipas dëshmitarit, para se të vritej u ishte drejtuar edhe organeve përgjegjëse në Kosovë e Serbi.

    Sipas pohimeve të avokatit të mbrojtës, Ç.I, konfirmoi që në veri të Kosovës ekzistojnë grupe kriminale por nuk ia doli të saktësonte se kush është udhëheqësi i tyre. Për këtë temë dëshmitari nuk deshi të fliste për shkaqe të sigurisë.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, deri më tani ka ngritur tri aktakuza në të cilat nuk kishte ndryshime të mëdha esenciale.

    Aktakuzë u ngrit kundër Nedelko Spasojeviq (zyrtar policor), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Sillvana Arsiq (ish-sekretare e të vrarit Ivanoviq), Dragisha Markoviq (zyrtar policor), Zharko Jovanoviq (zyrtar policor) dhe Rade Basara (zyrtar policor).

    Me këtë vrasje ndërlidhen edhe Zhelko Bojiq (shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen). Kundër tyre megjithatë nuk u ngrit aktakuzë sepse ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngritit aktakuzën e parë, raporton REL.

    Radoiçiq dhe Vesellinoviq në aktakuzë përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Ivanoviq.

    Megjithatë, për Millan Radoiçiqin në mars të këtij viti u tërhoq urdhri për arrestim pa kurrfarë shpjegimi dhe që nga ajo kohë ai disa herë qëndroi në veri të Kosovës.

    “Dëshmitari tentoi të bind Gjykatën se i ndjeri Ivanoviq e luste t’ia dërgonte fotografitë dhe informatat për persona të caktuar. Unë mund të them që ai në njëfarë forme e tradhtoi shërbimin e vet sepse këto veprimtari nuk lejohen”, tha para gazetarëve Mahmut Halimi, avokat i të akuzuarit, Marko Roshiq.

    Të gjithë të akuzuarit në rastin e vrasjes së Ivanoviqit më herët ishin deklaruar të pafajshëm për aktakuzat me të cilat ngarkohen.

    Oliver Ivanoviq, lider i GI SDP u vra më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

    Të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit, në listën e sanksioneve të SHBA-së

    Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq ndodhen tashmë në listën e sanksioneve nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së për shkak “të përfshirjes në rrjete korruptive me krimin e organizuar ndërkombëtar”.

    Sanksionet vlejnë edhe për 10 persona të tjerë, serbë nga veriu i Kosovës të cilët janë të ndërlidhur me Veselinoviqin të cilin SHBA-ja e përmend si udhëheqës i grupit kriminal.

    Në mesin e tyre janë edhe Zhelko Bojiq, i cili ndërlidhet me vrasjen e Ivanoviqit dhe Marko Roshiq, i cili është njëri prej të akuzuarve në këtë rast.

    Sanksionet e SHBA-së nënkuptojnë që prona e individëve, të cilët ndodhën në listën e zezë do të bllokohet derisa shtetasve amerikanë u ndalohet bashkëpunimi me ata.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!