×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti konfuz i qytetarit nga Drenasi: Po më lypin Policia, IKSHPK më nxori pozitiv e dy rezultate tjera negativ

    Reporteri
    06 Mars 2021 | 8:35

    Tri testime për COVID-19 brenda javës, tri rezultate të ndryshme; dy prej tyre negative e tjetri pozitiv. Kjo është ajo që i ka ndodhur një qytetari nga komuna e Drenasit gjatë javës së kaluar, i cili tani po përballet me thirrjet e Policisë për mos bindje të rregullave për izolim. Blerim Morina në një rrëfim ka raportuar rastin e tij të komplikuar, ani pse deri tash as edhe një simptomë të vetme të virusit nuk ka përjetuar.


    Gjithçka kishte nisur në paraditen e datës 25 shkurt, kur Blerimi ishte detyruar të kryente një testim për COVID në Insititutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), si dëshmi për një udhëtim të tij të planifikuar për në Turqi. Në po të njëjtën ditë e kishte kryer një testim tjetër në Aeroport të Prishtinës, prej të cilit kishte rezultuar negativ. Mirëpo të nesërmen është IKSHPK që ia kishte kumtuar rezultatin e kundërt dhe jo të mirë, pra atë pozitiv.

    “Unë kam pasë me udhëtu në Turqi, në Stamboll edhe kam shku të mërkurën në mëngjes dhe e kam bë testin në IKSHPK edhe e kam thirr atë të agjencisë që e kryva, e pastaj më tha që jo nuk është dashtë aty por shko në aeroport se Turqia nuk e pranon atë shtetëror. Pasdite e kam bë aty të njejten në mëngjes më kanë treguar se jam negativ. Kah ora 10:30 më kanë thirr Instituti dhe më thonë se testi është pozitiv. Thash qyysh? Qysh e mundur ku e kam një test negativ, dy rezultate të ndryshme brenda ditës’’, ka thënë Morina për Periskopin”. Por kjo nuk është e tëra. Blerimi për siguri, ndonëse vazhdonte të mos kishte simptoma, një testimi të tillë i ishte nënshtruar pas tre ditësh edhe në Turqi. Instituti shtetëror atje po ashtu e kishte nxjerrë negativ.

    “Në asnjë moment s’kam pasë simptoma deri tash, i shnoshë si molla jam’’.

    E pas kthimit në Kosovë, Blerimi kishte marrë një urdhër-vendim nga komuna e Drenasit që së bashku me familjen e tij të izoloheshin deri më datë 11 mars 2021. Por natyrisht, atij urdhri nuk po i bindet pasiqë beson se rezultati nga IKSHPK është i gabuar, aq më tepër kur ende nuk ka as edhe një simptomë të vetme.

    Si rezultat, një vërejtje ka pranuar edhe nga Policia e Kosovës.

    “Sot më thirrën Policia, duhet vetëizolim deri në këtë datë, s’po i përgjigjesh urdhrit të shtetit, mundemi me ngrit padi. As nuk kam jep pare me m’qit negativ e as kurrëgjë tjetër. Unë s’banoj në Drenas që 8 vjet, më kanë kërku në shpi në Drenas Policia’’, thotë tutje Blerimi.

    Mirëpo ky qytetar i irrituar nga tërë ky proces, të cilin e quan të padrejtë ka vendosur që të shkojë për ri-testim në IKSHPK, së bashku me avokatin e tij, e në rast nevoje edhe të shtrojë padi.

    Në Kosovë, ndonëse tash e një muaj ka zbutje të masave anti-COVID, izolimi prej dy javësh i personit të infektuar dhe familjarëve të tij është i detyrueshëm, njëjtë sikurse bartja e maskës dhe mbajtja e distancës nëpër ambiente publike. Përndryshe, rastet me COVID-19 janë rritur dukshëm, sidomos pas zhvillimit të fushatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të 14 shkurtit. Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, sipas IKSHPK u regjistruan 564 të infektuar dhe shtatë persona të vdekur. Kosova vazhdon të mbetet mbrapa me procesin e vaksinimit, pasiqë Qeveria nuk ka siguruar ende as edhe dozën e parë prej tyre

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!