×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagim i Policisë së Kosovës ndaj publikimit të një shkrimi në disa mediume serbe

    Reporteri
    04 Tetor 2019 | 16:05

    Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimin e publikuar sot (04.10.2019) në disa portale serbe, njëra ndër to ”kurir.rs”, me titullin ”IZDATO HITNO NAREĐENJE! SPECIJALCI ROSU UPADAJU NA SEVER KOSOVA: Hapse dvojicu srpskih mladića zbog ubistva Olivera Ivanovića! NOVI PRITISAK NA SRBE”, reagon ndaj këtij lajmi.


    Reagimi i policisë së Kosovës:

    Shkrimet e tilla nga këto mediume se kinse për këtë rast të apostrofuar, në Veri të Mitrovicës do të dërgohet Njësia Speciale Operative e PK-së, janë tendencioze dhe aspak të drejta, kanë për qëllim dezinformimin e qytetarëve, duke dashur që përmes shkrimeve të tilla të orientojnë mesazhet e tyre politike, të ndjellin frikë tek qytetarët si dhe të tentojnë destabilizimin e asaj pjese të vendit.

    Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj operacionale i bazon në procedurat e parapara ligjore, duke zbatuar me përpikëri dhe profesionalizëm të lartë detyrat dhe autorizimet policore bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme në funksion të luftimit të dukurive negative dhe krijimit të një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallime.

    Vlen të theksohet se sa i përket procesit të zgjedhjeve, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale në nivel vendi, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, plan ky i cili parasheh krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

    Andaj, Policia e Kosovës reagon fuqishëm ndaj këtij shkrimi të pavërtetë dhe inkurajon të gjithë qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve të tilla, por t’iu referohen informacioneve zyrtare, si dhe njëherit të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të kujdeset për garantimin e sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në tërë vendin.

    Policia e Kosovës po ashtu inkurajon gazetarët e këtyre mediumeve që para lansimit të informacioneve t’iu drejtohet kompetentëve, në këtë rast Policisë, për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informacioneve të sakta, në mënyrë të informimit të drejtë të opinionit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!