×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagimet e para, pakënaqësi me koeficientin e pagave: Koeficient i mjerimit, goditje ndaj shërbyesve civilë

    Reporteri
    01 Shkurt 2023 | 12:43

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka bërë të ditur vlerën e koeficientit të pagave, që deri më tani kishte qenë “mister”.

    Kryeministri Kurti ka thënë se koeficientit për këtë vit është 105,ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm planifikohet të jetë 110, shkruan Reporteri.net.

    Kurti tha se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.

    Këtë koeficient Kurti e ka arsyetuar duke e cilësuar si sistem të përllogaritjes për barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive.

    “Me këtë sistem të ri dhe këto vlera të kompensimeve, ne kemi synuar dhe mbërritur disa objektiva bazë: barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetjes solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë. E reja e këtij sistemi përveç vlerave në klasifikimin e kategorive tek zyrtarët publikë, është se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive. Pas kësaj nuk do të ketë më stagnim të pagave për zyrtarët pafundësisht”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

    Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.

    Duke e llogaritur me vlerën e koeficientit, mësimdhënësi i shkollës së mesme do të marrë rreth 609 euro pagë, ndërkaq, ai i shkollës fillore, do të paguhet rreth 588 euro.

    Paga e mjekëve sipas përllogaritjes së koeficientit 7.4 del të jetë 777€.

    Ndërsa, në 12 për doktorët specialistët, 1,260 euro. Kryeinfermieri do të paguhet 672 euro, ndërsa infermierët nga 588 deri në 535.5

    Drejtori i përgjithshëm i policisë ka koeficientin 14.5 (1,522 euro), zv.drejtori i përgjithshëm 12.8 (1,344 euro) ndërsa Drejtori i Departamentit në Polici ka 11.2 (1,176 euro). Këto tri pozita paguhen në bazë të funksionit dhe jo të gradës.

    Ndërsa koloneli, që është grada më e lartë në polici do të paguhet me koeficientin 10.2 (1,071 euro), nënkoloneli 9.2 (966 euro), majori 8.2 (861 euro), kapiteni 7.4 (777 euro), togeri 7 (735 euro) dhe rreshteri 6.4 (672 euro).

    Ndërsa policët që nuk kanë gradë do të paguhen: Polici i lartë me koeficientin 5.9 (619 euro), Polici me koeficientin 5 (525 euro), Polici i ri 4.5 (472 euro) dhe kadeti policor me koeficientin 2 (210 euro).

    Në Ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15 apo 1575 euro, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend, 210 euro.

    Rreshteri i FSK-së do të paguhet me 693 euro, tetari apo specialisti me 640,5 euro. Ushtari i klasit të parë do të paguhet 609 euro, ushtari do të paguhet 588 euro ndërsa rekruti apo kadeti i FSK-së do të paguhet vetëm 210 euro në muaj.

    Në sistemin e drejtësisë, Kryetari i Gjykatës Supreme  do të ketë pagë 1,785 euro, e e deri te Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale – 1,627.5 euro dhe Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit – 1,627.5 euro.

    Koeficienti 105: Këto do të jenë pagat për mësimdhënësit, mjekët, policët e kategoritë e tjera

    Kurtit dhe ministrave u rritet paga 

    Me koeficientin e ri, Kryeministrit Albin Kurti do t’i rritet paga për 285 euro. Kurti i cili deri më tani, ka marrë pagë bruto rreth 1 mijë e 500 euro në muaj, por tash pritet që të paguhet më shumë.

    Vlera e koeficientit është 105, ndërsa koeficienti për pagën e kryeministrit është 17, dhe në bazë të përllogaritjes, del se Kurti tash do të paguhet 1 mijë e 785 euro.

    Njëjtë do të paguhet edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ndërsa Presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka koeficientin më të lartë 18, do të ketë një pagë prej 1,890 eurosh.

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ministrat kanë koeficientin e njëjtë, 16.4, do të kenë pagën 1,722 euro.

    Vlera e koeficientit 105, kaq është paga e re për Presidenten, Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin

    Reagimet e para:

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka mirëpritur vlerën e koeficientit prej 105 eurosh të përcaktuar në ligjin e ri të pagave.

    Sekretari i kësaj sindikate Ymer Ymeri tha se pajtohen me këtë vlerë të koeficientit, meqë sipas tij është arritur qëllimi i SBASHK-ut.

    Në anën tjetër, përfaqësues i shoqatave sindikale të shërbyesve civilë, Ali Sefaj, ka kundërshtuar ashpër koeficientin 105 euro të vendosur nga Qeveria e Kosovës për Ligjin e Pagave.

    Ai thotë se ky koeficient, është i papranueshëm.

    “Qeveria e arrogancës, veç arrogancë di të prodhoj. E tillë është edhe vlera e koeficientit. Ndoshta edhe vlerën e koeficientit e kanë llogaritur me pagën qe meritojnë ministrat dhe kabinetet, por jo edhe me profesionalizmin e sektorit publik dhe inflacionin qe e ka goditur vendin.
    Koeficienti i marrëzisë prej 105 euro është i papranueshem dhe veç marrëzi do të prodhoj”, shkruan ai.

    Me vlerën e koeficientit për pagat e zyrtarëve publikë, është shprehur i pakënaqur kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

    Zeqiri ka paralajmëruar edhe reagime.

    Koeficienti prej 105 ka nxitur edhe reagimin e opozitës.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka quajtur këtë koeficient si “koeficient të zbrazjes” së Kosovës. Sipas tij, koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik.

    Abdixhiku ripërsëriti se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125.

    “Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

    Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se shprehin zhgënjimin e tyre për këtë koeficient, për të cilin tha se është një koeficient I mjerimit dhe se sipas tij, demotivon të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës.

    “Si grup parlamentar kërkojmë nga qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje, sepse e thellon edhe më shumë krizën tonë”, tha Tahiri.

    Seancën e lëshuan edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Kjo Qeveri që glorifikon krimin, që mbron korrupsionin e Martin Berishajt, që rrit tatimin ndaj qytetarëve dhe nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, nuk mund të presësh që të ketë zgjidhje për punëtoritë e sektorit publik”, u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi./Reporteri.net/

    Koeficienti 105, kështu mund të llogaritni pagën tuaj

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!