×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Ministri i Drejtësisë: Krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e Kosovës

    Reporteri
    28 Maj 2019 | 13:27

    Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një deklarate për media, rithekson edhe njëherë përkushtimin e institucioneve për të shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


    Sipas ministrit Tahiri, ky operacion ka qenë i shtrirë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe komunat veriore.

    “Fillimi i kësaj jave nisi me një aksion të Policisë së Kosovës për t’i vënë në pranga një grup njerëzish nën akuzën për korrupsion dhe krim të organizuar.

    Aksionet e nisura dje në Prizren, kanë vazhduar edhe sot në veriun e vendit.

    Ky hetim dhe këto aksione dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës.

    Krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Askush nuk mund t’i japë drejtim të paqenë dhe as të shtrembërojë realitetin e veprimeve të bazuara në rend dhe ligj.

    Si vend sovran, në të gjithë territorin e së cilit funksionon një rend unik juridik i bazuar në Kushtetutën e vendit, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, duhet të ndjehen të sigurt se institucionet tona nuk do të lënë hapësirë për askënd dhe asgjë që t’ua rëndojë jetën dhe cenojë sigurinë përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar” thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Drejtësisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!