Një ditë pas raportimit se Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci, kishte paguar 66 mijë euro për largimin e disa mobilieve që nuk ekzistonin në objektin ku pati selinë AAK-ja, Krimet Ekonomike zbarkuan sot pranë këtij institucioni, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Krimet Ekonomike shoqëruan në Polici, zyrtarin i kësaj ministrie, Bedri Dobra, nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje, menaxher i kontratës për largimin e këtyre mobilieve.
Pas intervistimit të tij nga ana e policisë, Dobra ka reaguar edhe në rrjetet sociale. Ai thënë se kjo që ndodhi sot është “një padrejtësi e madhe”, teksa e vë në dyshim edhe vërtetësinë e kronikës së publikuar në një televizion për keqpërdorimin e mbi 60 mijë eurove.
“Nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo jo, por ajo që di me siguri është se storja që është transmetuar në televizion është e pavërtetë. Falënderoj institucionet, të cilat gjatë marrjes së intervistës kanë qenë shumë korrekte me mua dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin. Megjithatë, ky sulm ndaj meje dhe familjes sime nuk mund të kalojë pa përgjigje. Do të ndjekim rrugët ligjore për të adresuar këtë situatë, si për shqetësimin në familje, ashtu edhe për dëmtimin e imazhit tim personal, për të cilin kam punuar me vite të tëra”, ka shkruar Dobra.
Ai ka edhe një kërkesë për mediat që “të kërkojnë falje” dhe, siç thotë ai, “të paraqesin të vërtetën ashtu siç është”.
Dobra tha po ashtu se Ministria “tashmë e ka demantuar lajmin e pavërtetë me fakte” në faqen e saj zyrtare.
Dobra, i cili sot u shoqëruar në Polici, në fund të vitit 2024, ishte vlerësuar si “Punëtori i Vitit” nga Ministri i tij, Faton Peci.
“Profesionalizmi, përkushtimi, vullneti, dëshira dhe gatishmëria për të gjetur zgjidhje; e karakterizojnë një zyrtar si Bedriu”, thuhej më 31 dhjetor 2024, në një postim të Ministrisë së Bujqësisë, ku në foto shfaqej Peci bashkë me Dobrën.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, e ka konfirmuar se bastisja është kryer pas dyshimeve lidhur me renovimin e objektit që shfrytëzonte më parë AAK-ja, me seli në Ulpianë, e që tani është nën menaxhimin e kësaj Ministrie.
Tutje në përgjigjen e Prokurorisë thuhe se zyrtarët e kësaj ministrie dyshohen për tri vepra penale: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes.
“Zytarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.