Reçica kritikon Qeverinë për anashkalimin e Ferizajt, pyet për ujëmbledhësin e Jezercit dhe Spitalin Regjional

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica sot në Kuvendin e Kosovës, ka ngritur dy çështje lidhur me nevojat e qytetarëve të Ferizajt si regjion.


Reçica ka diskutuar rreth përfundimit të projektit të Ibër – Lepencit dhe funksionalizimit të Spitalit Regjional të Ferizajt.

“Çështja e parë që kam ngritur, ka të bëjë me hidrosistemin e Ibër – Lepencit, i cili është një projekt i një rëndësie të veçantë dhe me vlerë strategjike për mirëqenien e qytetarëve të regjionit të Ferizajt. Ky projekt i viteve të shtatëdhjeta, nuk është realizuar në tërësi ende, pasi që është realizuar vetëm projekti i Ibrit. Jo edhe ai i Lepencit. Ky projekt për ujë të pijshëm në aspektin afatgjatë, por edhe çështja e ujit të nevojshëm industrial si dhe ujit për ujitje, duke veçuar këtu Ujëmbledhësin e Jezercit, për Kosovën Qendrore, veçanërisht për Komunën e Ferizajt, Shtimes, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Shtërpcës dhe Vitisë, është jetik dhe shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Sipas tij është për keqardhje që Qeveria Kurti nuk ka as edhe interesimin më të vogël për implementimin e projektit të Lepencit, përfshirë edhe Ujëmbledhësin e Jezercit.

Tutje, deputeti Reçica ka kritikuar ministrin Arben Vitia për zvarritje të funksionalizimit të Spitalit Regjional të Ferizajt, ndërtimi i të cilit është paraparë të përfundojë më 15 qershor 2021.

“Ndërtimi i Spitalit Rajonal të Ferizajt, ishte dhe vazhdon të jetë nevojë e kahmotshme e mbi 108 mijë banorëve të Ferizajt dhe rreth 150 mijë qytetarëve të qyteteve përreth, duke përfshirë Kaçanikun, Shtimen, Hanin e Elezit, Shtërpcën dhe Vitinë. Pra, bëhet fjalë për një spital që do të ofrojë shërbime për çerek milioni qytetarë. Përfundimisht, kjo qeveri nuk ka interesim e as vullnet për të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë qytetarët e Komunës së Ferizajt. Sepse nuk mund të jetë ndryshe. Qeveria e mashtrimit, veç mashtron.”, ka thënë ai.