×
  • Lajme
  • Lajme

    Rektori i UP’së: Më akuzojnë që jam i PDK-së, por shkarkimi im kërkohet për arsye të tjera

    Reporteri
    20 Tetor 2022 | 20:42

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se po e akuzojnë si mbështetës dhe pjesë e PDK-së për ta shkarkuar nga pozita e tij, por sipas tij, arsyet e vërteta janë dikund tjetër.

    Sahiti ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërije Nagavci është e përfshirë në këtë zhvillim, ndërkohë që ka thënë se me ministri të tjera, ka pasur bashkëpunim korrekt.

    “Nuk mundem të flas për qeverinë në tërësi, sepse nuk e di se si konsultohen ndërmjet vete, por po, ministrja është e përfshirë në këtë zhvillim të ri për UP-në. Përndryshe, ka disa ministri me të cilat kemi pasur bashkëpunim korrekt”, ka thënë Sahiti.

    Sahiti ka mohuar të jetë mbështetës, e aq më pak anëtar apo funksionar i PDK-së, parti që tani është opozitare.

    “Jo që s’jam zyrtar i PDK-së, por as që kam qenë në ndonjë takim apo që kam ndonjë fotografi me struktura e tubime të PDK-së. As mbështetje publike kurrë s’i kam bërë”, ka thënë tutje ai.

    Për Sahitin, arsyet pse po kërkohet shkarkimi i tij, janë të tjera, që lidhen me mos-bindjen e tij për t’iu nënshtruar direktivave të grupeve të ndryshme.

    “Ajo është çështje koti, mendoj që arsyet e vërteta janë krejt dikund tjetër dhe lidhen që nuk jam njeri që punoj në bazë të direktivave të njërit grup dhe tjetrit, por i kam parimet e mia dhe i respektoj dispozitat ligjore”, ka thënë ai në Pressing të T7.

    Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe anëtarët e emëruar nga Ministra e Arsimit e kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së, Naser Sahitit, përmes një mbledhjeje që pritet të mbahet të premten.

    Lidhur me iniciativën për shkarkimin e tij, Rektori Sahiti sot ka bërë një deklarim publik përmes një konference që e ka mbajtur, ku e ka vlerësuar të jashtëligjshme thirrjen për këtë mbledhje. Ai ka shprehur dyshime për ndërhyrje direkte të ministres Arbërie Nagavci në vendimet brenda UP-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!