×
  • Lajme
  • Lajme

    Reuters raporton për Specialen: Thaçi, hero kombëtar i përkrahur nga SHBA-ja, akuzohet për rreth 100 vrasje

    Reporteri
    15 Shtator 2021 | 15:19

    Agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, ka raportuar të mërkurën për fillimin e gjykimit të parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke paraqitur kryesisht të dhëna për krijimin e kësaj gjykate dhe për të akuzuarit.


    Gjykimi i parë u hap të mërkurën në një gjykatë speciale që po merret me krimet e viteve 1998-1999 në konfliktin e Kosovës, shkruan Reuters.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 për t’i trajtuar krimet që nuk janë gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për Ish-Jugosllavinë i Kombeve të Bashkuara, i cili ndoqi penalisht individë për krime gjatë luftërave të Ballkanit në vitet e nëntëdhjeta dhe u mbyll më 2017.

    Tribunali ndodhet në Hagë dhe përbëhet nga gjykatës e avokatë ndërkombëtarë, por formalisht është gjykatë e Kosovës e përfshirë në ligjet e Kosovës e jo gjykatë ndërkombëtare si Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për Ish-Jugosllavinë.

    Rasti i parë është kundër Salih Mustafës, 50 vjeç, ish-komandant pro pavarësisë, i cili të mërkurën u deklarua i pafajshëm për krime lufte. Ai ngarkohet me akuzat për vrasje, menaxhim të një burgi ku të burgosurit ishin përballur me rrahje të përditshme dhe torturim. Prokurorët thanë se viktimat ishin shqiptarët, të cilët nuk ishin pajtuar politikisht me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë ngritur padi ndaj tetë të dyshuarve. Të gjithë janë në ndalim në një qytezë bregdetare holandeze, Scheveningen. Në mesin e tyre është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga posti vitin e kaluar dhe u dorëzua për t’u përballur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Prokurorët e mbajnë Thaçin përgjegjës për rreth 100 vrasje të civilëve gjatë luftës, kur ai ishte komandant i UÇK-së që i luftoi policinë e ushtrinë serbe.

    Thaçi, hero kombëtar i përkrahur nga ShBA-ja, iu fut karrierës politike pasi e udhëhoqi betejën e UÇK-së kundër forcave që ishin nën urdhrin e Millosheviqit. Ai ka qenë figurë mbizotëruese politike në vend që nga shpallja e pavarësisë para 13 vjetësh.

    Së paku 13.000 njerëz vdiqën gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, që atëherë ishte provincë e Serbisë nën pushtetin e presidentit të ndjerë jugosllav, Sllobodan Millosheviq. /Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!