×
  • Lajme
  • Lajme

    Rikthimi në punë i logopedit Iljasa Fazliu, dorëzohet një ankesë në SHSKUK

    Reporteri
    31 Janar 2023 | 14:03

    Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), me rastin e abuzimit të fëmiut nga Iljasa Fazliu, ka dorëzuar ankesë në SHSKUK pas rikthimit në punë të logopedit.

    Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), me rastin e abuzimit të fëmiut nga Iljasa Fazliu ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe hetimin e komisionit disiplinor me anë të një ankese drejtuar drejtores së ShSKUK, Dr. Narqize Hoxhaj-Arenliu.

    Me anë të kësaj ankese është njoftuar gjithashtu Inspektorati Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë, thuhet në njoftimin e QIPS.

    “Ne presim gjatë kësaj jave një përgjigje ndaj ankesës tonë, e cila duhet të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut pasi që ai paraqet rrezik për shëndetin publik”, vijon njoftimi.

    Sipas kësaj qendre, vendime të cilat normalizojnë dhunën dhe amnistojnë abuzuesit në institucione publike nuk duhet të pranohen.

    “Rrjedhimisht çdo përgjigje e cila nuk rezulton në shkarkimin e Iljasa Fazliut është e pa pranueshme”.

    “Ne shpresojmë se ankesa do të adresohet së shpejti. Në rast se ShSKUK dështon në përgjegjësinë e saj për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, ne do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Iljasa Fazliut në forma tjera”.

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) më 20 janar kishte bërë të ditur se mjeku është rikthyer sërish në punë në QKUK “vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit”.

    “Këtë vendim Komisioni Disiplinor e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhej në përgjigjen e QKUK-së për Portalin Dukagjini.

    Ndryshe, logopedi për të cilin ishte raportuar se ka abuzuar në ordinancën e tij me një fëmijë me autizëm, nuk kishte licencë të logopedit nga Oda e Infermierëve.

    Ndërkaq, Gjykata Themelore në Gjilan i kishte caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit I. F, i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë me autizëm, duke u ngarkuar me veprën penale, “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!