Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka shënuar Ditën e Unitetit Gjerman. Me këtë rast është organizuar pritje, ku morën pjesë bartës të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha subjektet politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë e mysafirë të tjerë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në adresimin e tij para të pranishmëve ka thënë se po punojnë shumë që samiti i radhës i Procesit të Berlinit të jetë një sukses për Kosovën dhe të gjithë rajonin.
Ambasadori tha se fokusi mbetet në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s.
“Derisa po flasim që Procesi i Berlinit feston 10-vjetorin e tij, ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e ardhshëm më 14 tetor një sukses për Kosovën dhe gjithë rajonin, duke u fokusuar në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s dhe mundësimin e tregtisë së vërtetë të lirë në rajon”, tha Rohde.
Ditë më parë, i dërguari gjerman në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka vizituar Kosovën dy herë në një misioni për të sqaruar problemet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.
Në një interivstë për Balkan Insight, Sarrazin ka thënë se Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe
“Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon të ndalojë importet serbe”. Kështu ka thënë i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.