×
  • Lajme
  • Lajme

    Rohde: Vendimi i Kosovës për targat është legjitim, por afati kohor i shkurtër

    Reporteri
    05 Tetor 2022 | 21:23
    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar legjitim vendimin e shtetit të Kosovës, sa i përket tabelave të veturave dhe kthimin e tyre nga ato ilegale në RKS.

    Por, ai ka theksuar nevojën që afati kohor prej dy muajsh të shtyhet edhe më tej, sepse sipas tij, është jashtëzakonisht i shkurtër.

    “Siç e thashë, duhet të ketë një periudhë të arsyeshme kohore për tranzicion, dhe mendoj se 2 muaj, janë kohë e shkurtër. Po ju jap një shembull nga shteti im. Mua më duhet të ndryshojë lejen e vozitjes, dhe kam pasur 4 vite kohë. Ende nuk e kam ndryshuar, dhe e di se duhet ta bëjë së shpejti. Nuk duhet të ketë një periudhë kaq të gjatë, por duhet të keni periudha tranzicionale administrative, në linjë me standartet evropiane. Dhe do të thoja se 2 muaj, janë pak. Kjo është e para”, ka thënë ai.

    Ambasadori Rohde ka thënë se dhuna nuk është përgjigje e mirë ndaj kësaj çështjeje, pasi sipas tij, ka mekanizma të tjerë që nuk janë aq ekstrem që mund të përdoren.

    “Dhe e dyta, nëse keni shkelje administrative, përdorni mjete të arsyeshme për t’i implementuar. Nëse herën e parë nuk e tregoni një leje valide të vozitjes, e merrni një vërejtje. Herën e dytë, gjobitesh, dhe kështu…Të flitet për konfiskimin e veturave nëse dikush nuk ka targat e duhura, mendoj se gjithashtu nuk është përgjigjja adekuate. Pra, njerëzit në të dyja anët duhet të qetësohen, sepse mendoj se është qesharake të përplasen për targa të veturave, përderisa kemi një luftë në Evropë”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.

    Në pyetjen se a sheh rrezik për luftë në Kosovë, pasi ashtu është duke deklaruar që sa javë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Rohde ka thënë se nuk sheh asnjë rrezik që një gjë e tillë të ndodhë.

    Ai ka theksuar se Kosova është e sigurt për shkak të prezencës së NATO-s. Ai ka thënë se “fjalori nxitës për luftën nuk ndihmon”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!