×
  • Lajme
  • Lajme

    Rreth 700 raste të dhunës në familje raportohen në polici për 4 muaj

    Reporteri
    13 Qershor 2021 | 10:53

    Përgjatë 4 muajve të parë të vitit 2021, janar-prill, në adresën e Policisë së Kosovës, janë raportuar 691 raste të dhunës në familje.


    Krahasuar me vitet e kaluara, në vitin 2021 vërehet rritje e dukshme e këtyre rasteve.

    Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka deklaruar se qasja e duhur dhe serioze e PK-së, karshi rasteve të dhunës, ka bërë që të raportohen më shumë rastet e tilla.

    “Qasja e tillë e policisë karshi rasteve të dhunës në familje, vetëdijesimi për dhunën në njërën anë dhe trajtimi i rasteve më seriozitet ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, p.sh. në vitin 2018 janë raportuar 1541 raste, në vitin 2019 janë raportuar 1915 raste dhe në vitin 2020 janë raportuar 2069 raste”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën “Enigma”.

    Sipas PK-së, “rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë”.

    “Policia ka përdorë forma të ndryshmë për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar i yni, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, është thënë nga PK.

    Ndërkaq, sikurse pothuajse çdo ditë, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është njoftuar se janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje, tri nga këto raste kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës.

    Të premten gjatë orëve të vona të mbrëmjes është arrestuar një person pasi i njëjti kishte keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Përmes raportit është bërë e ditur me urdhër të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

    Po ashtu, një grua nga Lipjani ka raportuar se të enjten është sulmuar fizikisht nga burri i saj, ajo ka pranuar tretman mjekësor dhe me dëshirën e saj është dërguar në strehimore.

    “Lipjan 10.06.2021 – 14:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull bashkëshorti i saj. Viktima kishte pranuar tretman mjekësor dhe me dëshirën e saj është dërguar në strehimore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

    Gjatë mbrëmjes së djeshme është arrestuar një person në Istog, pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj gruas së tij. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Istog 12.06.2021 – 21:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj viktimës femër kosovare, bashkëshorten e tij. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!