×
  • Lajme
  • Lajme

    RrGK reagon pas hudhjes së aktakuzës ndaj pesë të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares: Të merren masa disiplinore ndaj prokurorëve

    Reporteri
    26 Janar 2023 | 10:49

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar për rastin e dhunimit të 11-vjeçares, duke theksuar se ka neglizhim institucional, mos hetim të rastit dhe dështim në mbledhjen e provave të rastit të dhunimit.

    RrGK thekson se përmes mediave janë informuar se gjyqtari ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë personave, dy të dyshuar madhorë dhe tre të mitur për dhunimin e 11-vjeçares në muajin gusht 2022.

    “Sipas gjyqtarit Adnan Isufit, ‘aktakuza nga prokuroria nuk është e qartë, është e ngatërrueshme dhe përshkrimi faktik nuk përputhet me kualifikimin juridik të veprave penale’. Mos hetimi i rastit siç duhet dhe aktakuza jo e duhur nga ana e prokurorisë dërgon në dështime të njëpasnjëshme institucionale nga të cilat dhunuesit janë të lirë dhe ky neglizhim dërgon në raste recidive”, thuhet mes tjerash në reagim.

    Reagimi i plotë i RrGK:

    “RrGK reagon për neglizhimin institucional: Këshilli Prokurorial të ndërmarrë masa disiplinore ndaj prokurorëve përkatës

    Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagon për neglizhim institucional, mos hetim të rastit dhe dështim në mbledhjen e provave të rastit të dhunimit të 11 vjeçares.

    Përmes mediave u informuam se gjyqtari ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë (5) personave; dy të dyshuar madhorë dhe tre të mitur për dhunimin e 11-vjeçares në muajin gusht 2022.

    Sipas gjyqtarit Adnan Isufit, “aktakuza nga prokuroria nuk është e qartë, është e ngatërrueshme dhe përshkrimi faktik nuk përputhet me kualifikimin juridik të veprave penale”.

    Mos hetimi i rastit siç duhet dhe aktakuza jo e duhur nga ana e prokurorisë dërgon në dështime të një pas njëshme institucionale nga të cilat dhunuesit janë të lirë dhe ky neglizhim dërgon në raste recidive.

    Në vazhdën e lajmeve për dhunime dhe vrasje të grave, prokurorët dështojnë që të hetojnë rastet dhe të përpilojnë akuza sipas veprave penale të cilat parashihen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

    Andaj, vajzat dhe gratë përveç që duhet të luftojnë dhunuesit, duhet të luftojnë edhe institucionet patriarkale të cilat nuk e trajnojnë me seriozitet jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave.

    Dështime të tilla nga ana e prokurorisë dërgojnë në zvarritje të lëndëve penale dhe në dekurajim të viktimave të dhunës me bazë gjinore që ato të paraqesin rastet dhe të kërkojnë drejtësi.

    Andaj, përmes këtij reagimi kërkojmë nga ana e prokurorisë që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet kërkesa në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar.

    Gjithashtu kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë veprimet e duhura lidhur me gjetjen e shkaktarit mbi atë që kemi aktakuza të dobëta që hidhen poshtë nga gjykatat.

    Në të njëjtën kohë duke marrë edhe masat disiplinore ndaj prokurorëve përkatës.

    Kjo me qëllim që të krijohet besimi tek ky institucion ngase vazhda e veprimeve të tilla çon në dekurajim të rasteve dhe raportim të tyre nga ana e viktimave të dhunës seksuale.

    RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!